Edhe Real Madridi reagon pas deklaratave të presidentit të Federatës Franceze për Zidane

Edhe Real Madridi ka reaguar pas deklaratave të presidentit të Federatës së Futbollit të Francës, Noël Le Graët në lidhje me Zinedine Zidane – me këtë të fundit që mendohej se do të ishte zëvendësuesi i Didier Deschamps në krye të Kombëtares së Francës.

Le Graët deklaroi në një intervistë në “RMC” se atij nuk i intereson për planet e së ardhmes të Zidane, duke shtuar se nëse ish-trajneri i Real Madridit do ta kishte telefonuar, ai nuk do t’i përgjigjej .

Deklarata e presidentit të FFF-së nuk është pritur mirë nga tifozët francezë dhe jo vetëm.

Lidhur me këtë së fundmi ka reaguar edhe Real Madridi, klub në të cilin Zidane është njëri prej legjendave.

Klubi spanjoll ka kërkuar nga Le Graët që menjëherë të tërhiqet nga fjalët e dhëna.

“Real Madrid CF shpreh keqardhje për deklaratat e bëra nga presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Nöel Le Graët, për Zinedine Zidane, një nga legjendat më të mëdha të sportit botëror. Këto fjalë nënkuptojnë mungesë respekti ndaj një prej figurave më të admiruara nga tifozët e futbollit në mbarë botën dhe klubi ynë pret një korrigjim të menjëhershëm. Zinedine Zidane, kampion bote dhe kampion europian që mbron fanellën e vendit të tij, ndër shumë tituj të tjerë, përfaqëson edhe vlerat e sportit dhe këtë e ka dëshmuar gjatë gjithë karrierës së tij profesionale si lojtar dhe si trajner. Deklaratat e presidentit të Federatës Franceze të Futbollit janë të papërshtatshme për dikë që e ka atë përfaqësim dhe skualifikon veten, si ato që ai bën edhe për kapitenin tonë Karim Benzema, Topin e Artë aktual, kampion i Ligës së Kombeve me Francën në 2021 dhe fituesin e 5 Champions League, ndër shumë tituj të tjerë”, thuhet në reagimin e Real Madridit.