‘Mami, kanë hapur derën’/ Zbardhet dosja për vjedhjen te zyrtarja e Ramës

Syri TV siguron dosjen e plotë deri në këtë fazë të hetimit mbi nënë e bir, përkatësisht Rozeta e Havier Dobi, që u lanë në burg këtë të hënë nga Gjykata e Tiranës.

Nga hetimet e Prokurorisë rezulton se shtetësja Alda Klosi, më datë 15.12.2022, ka njoftuar Sallën Operative e Policisë Tiranë se në rrugën e “Kosovarëve", tek pallati "Orion" është vjedhur banesa e saj.

Poseduesja e parave deklaron se, prej rreth dy muajsh kishte marrë një banesë me qira ku jetonte së bashku me vajzën e saj te quajtur S.K.

“Me datë 15.12.2022, rreth orës 10.08, ajo ka dalë nga banesa, ka mbyllur derën me çelës dhe ka marrë makinën poshtë pallatit dhe ka shkuar në një takim me dy mikeshat e saj tek OSHEE. Mbasi ka mbaruar takimin, ka shkuar në zyrë tek Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare që ndodhet në afërsi të Gardës së Republikës. Rreth orës 14.00, atë e ka telefonuar vajza e saj Simona dhe i ka komunikuar se dera e banesës ishte e hapur. Ajo i ka komunikuar se e ‘kam mbyllur’ dhe më pas ka shkuar tek banesa ku ka konstatuar se tek dhoma e gjumit, të gjitha rrobat e dollapit kanë qenë të hedhura mbi krevat dhe në dysheme. Pas kontrollit të bërë ajo sqaron se i mungonin të gjitha bizhuteritë të shumë viteve, të cilat i ka pasur tek sirtari i parë i komodinës së vogël, në krah të dollapit. Në lidhje me vjedhjen e banesës së saj, e dëmtuara ka pasur dyshimet kryesore tek pastruesja e cila quhet Rozeta Dobi”, thuhet në dosje.

Ndërkohë në dëshminë e saj, vajza e Alda Klosit, sqaroi:

“Me datë 15.12.2022, rreth orës 7.30 ka dalë nga banesa dhe kam shkuar në shkollën “Sami Frashëri”, ishte nxënëse në vitin e parë. Ka qëndruar në shkollë deri në orën 11.30. Më pas është ulur te hotel “City” që ndodhet te Rruga e Barrikadave, ku ka pire kafe me shoqërinë e klases. Rreth ores 13.50 ka shkuar te zyra e nënës së saj, Alda Klosi te zona e Gardës ku ka qëndruar vetëm për disa minuta dhe më pas në këmbë ka shkuar te shtëpia në rrugën e “Kosovarëve”.

Në momentin që ka qenë te banesa, ka konstatuar se dera ishte pak e hapur, është futur në shtëpi dhe ka konstatuar se pjesa e kuzhinës ishte në rregull dhe më pas është futur në dhomën e gjumit ku ka konstatuar se rafti ishte i hapur dhe të gjitha rrobat ishin të hedhura në tokë. Pas kësaj, menjëherë ka telefonuar mamanë e saj dhe i ka treguar për këtë situatën”.

Në dosje, Klosi thotë se këto para ia kanë lënë për të kompletuar shtëpinë e tyre pasi xhaxhain e ka të sëmurë me kancer. Ajo shton se janë para të mbledhura ndër vite prej tyre pasi të afërmit e saj jetojnë në Amerikë.

"I është marrë deklarim të dëmtuares Alda Klosi e cila në lidhje me sendet e gjetura ka deklaruar se, gjatë kësaj kohe ka menduar me qetësi për sendet që ka patur dhe deklaron se ditën e ngjarjes i jane vjedhur një shumë në valutë të huaj më shumë se 120.000(njëqind e njëzetmije) euro, të cilat kanë qenë në prerje 500(peseqindeshe) dhe 200(dyqindeshe) si dhe një shumë prej 30.000(tridhjetëmije) dollare të cilat kanë qenë prerje 100(njëqindëshe) Deklaron se këto para i kishte të xhaxhait dhe nuses së xhaxhait të saj i cili i’a ka lënë për të kompletuar shtëpinë e tyre dhe për nevoja të tyre pasi xhaxhain e ka të sëmurë me kancer dhe për çdo nevojë që do të kishte, pasi djali i tyre është me probleme dhe këto lekë janë të mbledhura ndër vite nga ana e tyre pasi jetojnë në Amerikë dhe në këtë kohë ai po kurohet në Amerikë. Deklaron se ka patur një unazë floriri me medalionin e Shën Mërisë, një unazë floriri të bardhë me gurë të kuq, një unazë me flori të bardhë dhe me tre gurë, vathë të ndryshme me përmasa dhe forma të ndryshme, një palë vëthë me emoji, një varëse floriri me kryq dhe me Shën Meri, një palë vëthë floriri në formë triangolo, një unazë flori me tre gure diamanti. Një çantë me ngjyrë blu dhe të bardhë e markës Valentino, një portofol me ngjyrë bezhë e markës Valentino".