SYRI TV/ 19 vjet nga tragjedia e 9 janarit, familjarët: Të hetohet, SPAK të mos e mbyllë çështjen!

19 vite pas tragjedisë së 9 janarit ku në gjirin e Vlorës ndërruan jetë 28 të persona, kryesisht të rinj nga Shkodra, familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi. Sipas tyre SPAK duhet të zbardhë ngjarjen dhe të mos mbyllë çështjen.

Nga SYRI TV

Teksa bëhen plot 19 vite nga tragjedia e 9 Janarit, ku 28 shqiptarë u mbytën në ujërat e detit Jon në përpjekje të dëshpëruar për të arritur brigjet italiane, familjarët e viktimave ende kërkojnë drejtësi. Dosjen e kanë çuar edhe në SPAK, por pasi çështja është pushuar kanë bërë kërkesa të vazhdueshme, megjithatë nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Apeli i familjarëve të viktimave dhe të zhdukurve nga kjo tragjedi, është të vijojnë hetimet dhe të mos mbyllet çështja.

Një përfaqësues tha për mediat: “Drejtësi, asgjë më tepër vetëm drejtësi. Shteti nuk na e ka dhënë drejtësinë, se aq sa punojmë ne për zbardhjen e asaj tragjedie, janë dhe ata kriminelë të veshur me pushtet që bëjnë punën e vet që çështja të mos zbardhet, që të mos përfundojnë në burg. Ne nuk kemi pushuar asnjëherë, iu jemi drejtuar prokurorisë dhe gjykatave. Fajin na e ka prokuroria gjithmonë, se çështja penale nuk ka kaluar asnjëherë në gjykatë dhe ata kanë kthyer përgjigje sikur kanë kaluar afatet ligjore. Tani, afatet ligjore, me sa di unë, që nuk jam jurist, për vdekjet e njerëzve nuk kalojnë. Se këtu ka vdekje njerëzish.”

Kurse avokati vërejti: “Çështja nuk shkon më tutje, arsyet dihen. E kam thënë dhe po e them prapë, ia kam deklaruar dhe SPAK-ut me një kërkesë që kam bërë me kërkesë të familjarëve. Prokurorët e Vlorës, ose kanë qenë të korruptuar përfundimisht në këtë çështje o të kompromentuar ose kanë qenë frikacakë.”   

Për 28 shqiptarë të nisur nga Vlora drejt Italisë, udhëtimi me gomone i 9 janarit 2004 do të ishte fatal. 21 burra, gra e fëmijë u gjendën të pajetë nga një helikopter i NATOS paraditen e 10 janarit 2004, ndërsa 7 të tjerëve tashmë prej 19 vitesh ende nuk u janë gjetur trupat. Viktimat e tragjedisë ishin kryesisht nga Shkodra, të rinj të moshave nga 15 deri në 33 vjeç.