Dalin përgjimet/ Rozeta Dobi i premtoi të birit se do e nxjerrë nga burgu

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me akuzën për vjedhjen e parave në banesën e zyrtares Alda Klosit nga sanitarja dhe djali i saj Rozeta dhe Havier Dobi.

Burime bëjnë me dije se përgjimet në telefon mes Rozetës dhe djalit të saj Havierit ne ambientet e paraburgimit kanë qenë një indicie që policia të shkojë në banesën e tyre për kontroll.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se Rozeta dhe djali i saj kanë thënë se policia nuk ka arritur të gjejë shumën totale të parave që ata kishin fshehur në banesën e tyre.

Kjo bisedë mes nënës dhe djalit ka bërë që policia të shkojë sërish për kontroll në banesën e tyre, dhe përveç 120 mijë eurove të gjetura nga kontrolli i parë, janë zbuluar nga policia dhe sekuestruar edhe 8500 dollarë, 404.800 euro dhe florinj.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se nëpërmjet komunikimit me kode nëpërmjet Rozetës dhe Havier Dobit janë sinjalizuar edhe vendet ku mund të kishin fshehur paratë e tjera.

Rozeta është shprehur se paratë që kishin në banesë, do t’i përdorte për të nxjerrë nga burgu djalin e saj. Ndërkohë që nga shumat e mëdha të parave të gjetura, ka dyshime të forta që Rozeta Dobi në bashkëpunim me djalin e saj të kenë inskenuar dhe vjedhur para dhe aksesorë floriri edhe në banesa të tjera, të cilët dyshohet se mund të jenë emra publikë.

Kjo pasi janë të paktën 4 denoncime nga pronarë të tjerë banesash me thuajse të njëjtën skemë që ka përdorur Rozeta në vjedhjen e banesës së Alda Klosit edhe në vende të tjera që ka punuar si sanitare.