Duka falënderon Rejën dhe i jep Sylvinhos ‘stafetën’ e drejtimit të Kombëtares

Sylvio Mendes Campos Junior, i njohur si Sylvinho, prezantohet si trajneri i ri i Kombëtares shqiptare.

Braziliani ka firmosur me Federatën Shqiptare të Futbollit një kontratë 18-mujore, me objektivin e vetëm, arritje në fazën finale të Europianit “Gjermani 2024”.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në fjalën e tij falënderoi Edi Rejën për punën e bërë në drejtimin e kuqezinjve, teksa e kalon “stafetën” te tekniku i ri.

Duka tha: “Sot jemi në këtë komunikim publik për të mbyllur një cikël nën trajnimin e Rejës dhe duke nisur me një staf të ri dhe objektiva të qarta.

Në fillim doja të falënderoja Rejën dhe stafin e tij për të gjitha rezultatet dhe punë, për përkushtimin dhe gjithçka që ka dhënë për kombëtaren.

Bilanci i tij i fitoreve dhe humbjeve është i barabartë. Ka bërë punë të mirë në punën e ekipit shqiptar.

Shpeshherë ka qenë i kritikuar, por gjithsecili ka këndvështrimin e vet. Edhe njëherë do të doja ta felenderoja tashmë ish-trajnerin e ekipit Kombëtar gjatë këtyre 3 vite e gjysmë.

Reja ka qenë një nga bashkëpunëtoret më të mirë të FHSF-së dhe do të vazhdojë të jetë i tillë për të gjithë neve”.