Hodhi foshnjen në lumë/ Krimi i paralajmëruar nuk solli asnjë reagim

Ngjarja e rëndë që u shënua dy ditë më parë në Shkodër ka tronditur opinionin publik, kur u mësua se një nënë e hodhi foshnjën e saj të sapo lindur në lumin Kir.

Ndonëse gruaja është vënë në pranga nga ana e Policisë dhe madje është vënë nën akuzë dhe po hetohet nga Prokuroria, asnjë autoritet shtetëror nuk doli ditët në vijim të shpjegonte se çfarë ka ndodhur vërtet me gruan e re, e cila ndërmori aktin e tmerrshëm të vrasjes së fëmijës së saj. Mjekët dhe sociologët kanë dalë me reagime konkrete, ndonëse ende nuk janë mësuar shumë detaje nga jeta e gruas së arrestuar për aktin e rëndë, ngjarje, e cila u regjistrua ditën e shtunë. 

‘Dosja’ ka mësuar se ajo që ka ndodhur, është paralajmëruar nga gruaja. 32- vjeçarja ishte e pamartuar. Ajo jetonte me dajën e saj në fshatin Myselim, komuna e Postribës në Shkodër. Orjana Gremi është paraqitur me dhimbjet e lindjes më 30 dhjetor 2022. Ajo ka lindur atë natë në spitalin e Shkodrës. Burime nga Spitali i Shkodrës bënë me dije se gruaja kishte dalë nga materniteti më datë 4 janar 2023.

Në certifikatën e parë të lindjes, fëmijës nuk i është regjistruar atësia. Ajo ishte shprehur se fëmijën do ta hidhte në lumë pasi nuk kishte ku ta linte. Edhe pse gruaja e ka bërë këtë njoftim, nuk është marrë asnjë masë, si nga Policia e Shkodrës, qoftë edhe spitali rajonal për të trajtuar 32- vjeçaren dhe për të ruajtur jetën e fëmijës. Por gruaja është lënë të dalë nga spitali, ku më pas ka shkuar dhe ka hedhur fëmijën në lumin Kir. Atje, bebja njëjavëshe është gjetur e mbuluar me batanije dhe plastmasë.

Ky rast është tejet i ngjashëm me rastin e 29-vjeçares në Greqi, që hodhi foshnjën 11 muajshe në lumin Aliakmonasit në Veria, dhe më pas shkoi të festonte ndërrimin e viteve në hotel.

Për ngjarjen e rëndë që ndodhi më 7 janar në Shkodër ku u mësua se një 32- vjeçare ka hedhur në lumë foshnjën e saj, kanë folur psikologë dhe mjekë duke treguar edhe shkaqet e rënda që kanë çuar gruan të kryejë aktin makabër kundër foshnjës së saj. Orjana Gremi, e cila ka rënë në pranga, në polici ka deklaruar se arsyeja e një veprimi të tillë ishin arsyet ekonomike. Sipas sociologëve bëhet me dije se duhet të ketë politika sociale që i mbështesin nënat e reja me kopshte, me çerdhe, bonusin e qirave, duhen shtuar punonjësit social, të kemi më shumë shërbime shëndetësore.

Po ashtu kanë folur edhe mjekët, të cilët kanë dhënë opsionin e tyre në lidhje me ngjarjen e rëndë të cilët kishin besuar se gruaja do ta çonte foshnjën në jetimore, pasi ajo jo vetëm e kishte pa atësi, por madje ishte ankuar se edhe nuk mund ta mbante për shkak se kishte një pagë të papërfillshme për të rritur një fëmijë e vetme.