Grabitja në shtëpinë e zyrtares së Ramës/ Përgjimi zbuloi pastruesen

Policia dhe Prokuroria e Tiranës kanë nisur hetimet për të gjetur origjinën e parave të vjedhura në shtëpinë e zyrtares Alda Klosi.

TV Klan raporton se në rast se këto para rezultojnë të padeklaruara, atëherë do të ngrihet akuza ndaj Alda Klosit. Sa i përket hetimeve nga të dyja palët, po hetohet për shumën e dytë të parave, mbi 400 mijë euro, të cilat u gjetën në tubin e aspirimit në banesën e nënë e bir. Se ku janë vjedhur, nuk është përcaktuar ende, megjithëse dyshimet janë se janë marrë në të njëjtën banesë te “Rruga e Kosovarëve”.

Në një bisedë të përgjuar mes Rozeta Dobit dhe Havier Dobit në ambientet e paraburgimit, mësohet se ata janë shprehur se nuk e kanë gjetur shumën e madhe por vetëm 120 mijë euro.

Nga ky audiopërgjim policia ka arritur të gjejë paratë e fshehura në tubin e aspirimit.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi ditën e shtunë, me 7 janar ku nënë e bir u arrestuan për vjedhjen e 120 mijë eurove në shtëpinë ku Rozeta Dobi ishte punonjëse e mirëmbajtjes. Pas kontrolleve të mëtejshme në banesën e tyre u gjetën dhe para të tjera në tubin e aspirimit. Mësohet se pronarja e shtëpisë Alda Klosi ka qenë jashtë vendit dhe para se të largohej i ka dorëzuar një kopje të çelësit pastrueses, e cila më pas bashkë me djalin e saj ka ndërhyrë në kasafortë.