90% e banorëve të provincës më të populluar në Kinë është e infektuar me COVID-19

Gati 90% e banorëve në Henan, një nga provincat më të populluara të Kinës, janë infektuar me Covid-19, tha sot një zyrtar rajonal shëndetësor, pasi vendi përballet me një rritje të paprecedentë të rasteve.

Pas tre vitesh kufizimesh që ishin ndër më të rrepta në botë, Kina muajin e kaluar papritmas hoqi shumicën e masave të saj anti-covid.

Numri i pacientëve është rritur në mënyrë eksponenciale, ndërkohë që sistemi shëndetësor është i mbingarkuar nga pacientë të moshuar dhe krematoriumet duket se nuk mund të përballojnë fluksin e kufomave.

Në Henan (Kina qendrore), provinca e tretë më e populluar e Kinës, 89% e popullsisë ishte infektuar me Covid-19 që nga 6 janari , tha një zyrtar lokal shëndetësor, Kan Chuansheng.

Bazuar në këtë normë, rreth 88.5 milionë njerëz thuhet se kanë kontraktuar tashmë Covid, nga afërsisht 100 milionë banorët e provincës.

Numri i vizitave mjekësore për ethe arriti kulmin më 19 dhjetor dhe ka qenë në rënie të vazhdueshme në Henan që atëherë, u tha zyrtari gazetarëve.

Autoritetet presin një valë të re infeksionesh gjatë Vitit të Ri Hënor(më 22 janar), ndërsa miliona kinezë lëvizin në fshat për të festuar me familjet e tyre.

Me afrimin e festave, më shumë se 34 milionë udhëtime ishin paralajmëruar për të shtunën, ditën e parë të udhëtimit më të madh të vitit në Kinë, sipas shifrave zyrtare.

Kina, e cila ka një popullsi prej 1.4 miliardë banorësh, ka regjistruar vetëm 30 vdekje nga Covid që nga heqja e kufizimeve shëndetësore në dhjetor, pavarësisht valës së paprecedentë të infeksioneve që po përballet vendi.

Shifrat nuk pasqyrojnë situatën, sipas shumë ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë .

Kina rishikoi kriteret e saj për numërimin e viktimave Covid në dhjetor.

Tani e tutje, vetëm ata që vdesin drejtpërdrejt nga dështimi i frymëmarrjes, i lidhur me koronavirusin, përfshihen në statistika.

Ky ndryshim në metodologji do të thotë që shumë vdekje nuk do të regjistrohen më si pasojë e Covid.

Pavarësisht kërcimit epidemiologjik, Kina hoqi dje, të dielën, detyrimin e karantinës për pasagjerët që mbërrinin në territorin e saj nga jashtë. 

Megjithatë, ka ende një kërkesë për teste PCR dhe vizat turistike kanë mbetur të pezulluara për gati tre vjet.