City mposht me poker Chelsean në FA Cup, Aston Villa eliminohet nga ekipi i Kategorisë së katërt

Manchester City shkatërroi në supersfidën e FA Cup në fazën e 1/32 Chelsean me rezultatin e thellë 4-0. “Qytetarët” i dhanë një leksion “Bluve të Londrës” duke e eliminuar nga Kupa falë dygolëshit të Mahrez si dhe golave të Alvarez dhe Foden.

Një ndeshje që u luajt kryesisht me një ekip pasi City dominoi ndeshjen duke kaluar në avantazh në minutën e  23-të. Është Mahrez që hapi siparin e golave, ndërsa në pjesën e parë u realizuan edhe dy gola të tjerë. Fillimisht është Alvarez që dyfishon gjithçka me një 11-metërsh, ndërsa Foden realizoi edhe golin e tretë në fundin e pjesës së parë.

Në fraksionin e dytë, “Qytetarët” gjejnë edhe golin e katërt me Mahrez i cili realizoi me penallti duke vulosur edhe fitoren me poker për skuadrën e Guardiolës. Me këtë fitore City kualifikohet për fazën tjetër.

Eliminim i turpshëm ndërkohë për Aston Villan që mposhtet në shtëpi nga ekipi i League Two, Stevenage. (Kategoria e katërt për nga rëndësia në Angli) Edhe pse Aston Villa kaloi e para në avantazh në pjesën e parë, gjithçka u shkatërrua kur Dendocker e la me 10 lojtarë në fushën e lojës. Në fundin e takimit, miqtë bëjnë surprizën e madhe duke realizuar dy herë në dy minutat e fundit të kohës së rregullt.