Arrihet marrëveshja e 36-të mes Moskës dhe Kievit, 100 të burgosur lufte rikthehen në shtëpi nga të dyja kampet

Rusia dhe Ukraina kryen një shkëmbim të burgosurish ditën e sotme me një total prej 100 ushtarësh që u kthyen në vendet e tyre përkatëse, sipas autoriteteve nga të dy vendet.

Si rezultat i procesit të negociatave, 50 ushtarë rusë të kapur nga Ukraina u kthyen në Rusi, tha në një deklaratë ministria ruse e mbrojtjes.

Andriy Yermak, kreu i zyrës presidenciale të Ukrainës konfirmoi shkëmbimin, duke thënë se 50 ushtarë ukrainas të kapur nga Rusia u kthyen në shtëpi.

“Ne i kthyem njerëzit që u kapën në termocentralin bërthamor të Çernobilit, si dhe mbrojtësit e Mariupolit, djemtë nga Donetsk, nga afër Bakhmut, si dhe nga Kievi, Chernihiv, Kherson dhe rajone të tjera,” tha Yermak.

“Ky nuk është shkëmbimi i fundit. Detyra jonë është të kthejmë të gjithë njerëzit tanë dhe ne do ta përmbushim atë”, shtoi ai.

Ky është shkëmbimi i 36-të midis Rusisë dhe Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të plotë, me 1,646 njerëz -ushtarakë dhe civilë, të cilët janë kthyer në shtëpi në Ukrainë, sipas Shtabit të Koordinimit për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës në Kiev.