Sa dardha i paskan ngrënë Komandantit

Nga Klodian Tomorri/

Atyre 700 mijë eurove a sa janë nuk ka për t’u dalë njeri për zot. Ka mbërritur puna në Shqipëri që nuk e pranon me njëri paranë. Pa viktimë, nuk ka krim. Kështu që prokuroria do detyrohet t’ia kthejë lekët mbrapsht pastrueses.

Ditën që komandanti i dardhave do miratojë ligjin e aministisë fiskale, e para qe do trokasë tek zyra e tatimeve do jetë kjo zonja. Do marrë formularin e aplikimit, do deklarojë 2 milionë euro aty si kursime nga puna në të zezë në emigracion dhe poshtë do verë si dedikim për qeverinë shenimin: Faleminderit. Pa ju kjo nuk do te ishte e mundur.

Pastaj kryeministri do dalë në televizion dhe do deklarojë; Ja një emigrante, që vendosi t’i sjellë kursimet e saj nga puna e ndershme në Shqipëri falë reformave tona dhe amnistisë fiskale që miratoi maxhoranca jonë. Ndërkohë llogorja e non gratave dhe bedelave që hedh vetëm baltë mbi çdo gjë dhe këdo vazhdon misionin e saj për të nxirë Shqipërinë.

Tani ka dhe diçka që duhet theksuar këtu. Ajo pastruesja paska qenë njeri me integritet të jashtëzakonshëm. Me 700 mijë euro cash në shtëpi, ajo hyn automatikisht tek 1 për qindeshi me i pasur i popullisë. Dhe në terma relativ, është praktikisht për Shqipërinë në nivelin që janë këta Buffetet, Bezosat për SHBA-në. Por pavarësisht kësaj, nuk e ndërroi kurrë zanatin dhe vazhdonte të punonte pastruese. Njeri i madh.