Al Nassr largon Aboubakar për të federuar Ronaldon, sulmuesi kamerunas: Messi është më i mirë

Ronaldo tashmë mund të jetë i lirë për të luajtur me Al Nassr sepse klubi arab ka larguar një lojtar të huaj nga skuadra për të bërë pjesë të ekipit pesë herë fituesin e “Topit të Artë”. Me shumë mundësi debutimi i tij nuk do të shtyhet më, pasi klubi arab ka larguar nga skuadra sulmuesin kamerunas, Vincent Aboubakar.

Klubi pritet të prishë kontratën e Aboubakar dhe diçka e tillë nuk i ka pëlqyer aspak kamerunasit. Madje ky i fundit ka bërë edhe një deklaratë jo pak thumbuese për yllin portugez.

Aboubakar ka folur për “Mundo Deportivo” duke u shprehur se Messi është më i mirë se Ronaldo. “Gjithmonë kam menduar se Messi është më i mirë se Cristiano Ronaldo. Pas stërvitjes me të, mund të them se kam të drejtë për këtë.” – u shpreh 30-vjeçari.

Dukej se dyshja Ronaldo-Aboubakar do të ishte njëra nga më të fortat në Ligën e Arabisë Saudite, por Al Nassr mendon ndryshe duke e lënë këtë dyshe vetëm një imagjinatë.