Empoli surprizon në fund Lazion, paqe mes Spezias dhe Lecces

Të besuarit e Maurizio Sarrit kaluan në avantazh të dyfishtë, por gjithçka u ndërlikua në minutat e fundit ku një gol i Francesco Caputo rihapi gjithçka duke e bërë sfidën edhe më emocionuese. Baraspesha erdhi vetëm pak sekonda nga fundi i ndeshjes me Razvan Marin që realizon një supergol.

Ndeshja nis mirë për Lazion që gjen menjëherë rrugën e rrjetës pas vetëm 2 minutash lojë. Felipe Anderson realizon golin që prish ekuilibrat e takimit dhe vendos ndeshjen në rrjedhën që Lazio kërkon.

Goli i dytë për Lazion vjen nga Zaccagni i cili mposht për herë të dytë portierin Vicario dhe i jep më shumë qetësi kryeqytetasve. Dukej se Lazio po ecte e qetë drejt fitores, por një kundërsulm i shpejtë, i nisur nga Nedim Bajrami finalizohet me gol nga Caputo që rihap ndeshjen. Minutat e mbetura bëhen edhe më kaotike për Lazion, ndërsa Empoli feston vetëm pak sekonda nga sinjalizimi për mbylljen e ndeshjes.

Razvan Marin realizon një gol mjaft të bukur në limitet e zonës duke i çuar shifrat në 2-2. Në fund gjithçka mbyllet në barazim 2-2 me Lazion që shikon si i ikin nga duart 2 pikë shumë të rëndësishme. Kryeqytetasit tashmë ngjiten në kuotën e 31 pikëve.

Paralelisht u luajt edhe sfida midis Spezias dhe Lecces e cila përfundoi me rezultatin e bardhë 0-0. Edhe pse u përpoqën shumë dhe krijuan disa raste mjaft të mira shënimi, asnjë nga ekipet nuk arriti dot të çonte topin në rrjetë. Nzola, Gyasi për Spezian dhe Maleh për Leccen kishin mundësi të ndryshonin fatet e takimit, por pa sukses.