SYRI TV/ U grabitën mbi 500 mijë euro e sende ari, pronarja e banesës, këshilltare e Ramës

Alda Klosi, zyrtare e lartë në kabinetin e Kryeministrit Edi Rama, është pronarja e shtëpisë ku janë vjedhur qindra mijëra euro nga sanitarja Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi, të cilët u arrestuan një ditë më parë nga policia. 

Burime nga policia bëjnë me dije se Alda Klosi kishte marrë me qira një banesë në rrugën e “Kosovarëve” në Tiranë, ndërsa kishte punësuar si sanitare shtetasen Rozeta Dobi. Grabitja e shtëpisë nga sanitarja dyshohet se ka ndodhur në mesin e muajit dhjetor, kohë në të cilën Alda Klosi mësohet se ka qenë jashtë vendit. 

Rozeta Dobi dhe djali i saj pasi kanë kryer grabitjen, kanë krijuar rrëmujë në banesën e Alda Klosit për të fshehur gjurmët dhe krijuar skenë sikur shtëpia ishte vjedhur nga persona të tjerë. 

Në dytë ditë operacion, policia e Tiranë ka sekuestruar në banesën e Rozeta Dobit në total rreth 500 mijë euro para kesh si dhe bizhuteri, vlera e të cilave shkon në disa mijëra euro. 

Por, pas arrestimit të nënë e bir si autor të grabitjes, pritet të merret nën hetim edhe zyrtarja e lartë e qeverisë, banesa e së cilës u vodh nga Rozeta e Havier Dobi. Hetimi pritet të nisë pasi shuma e parave të vjedhura në shtëpinë e Alda Klosit, duket se nuk justifikohet nga paga e saj prej 120 mijë lekësh që merrte në Kryeministri. Alda Klosi, rezulton të jetë një nga zyrtaret e larta të qeverisë. 

Ajo ka punuar si Drejtuese e Kabinetit të Ministrit të Rindërtimit Arben Ahmetaj dhe më herët si këshilltare e tij. Arben Ahmetaj është një nga personat e akuzuar nga opozita si i përfshirë në aferën e inceneratorëve, por edhe për shpërdorim të fondeve të rindërtimit. 

Deri më tani nuk ka deklaratë nga Alda Klosi mbi orgjinën e parave si dhe arsyet pse mbante në banesë me qira shuma të tilla monetare që kalojnë vlerën e mbi gjysmë milioni euro.