Serbët në protestën në veri e quajnë Vuçiç tradhtarë

Rreth 200 qytetarë serbë kanë protestuar sot në veri të Mitrovicës kundër, siç u tha “tradhtisë së madhe të presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe Listës serbe”.

Në këtë protestë, e cila u organizua nga “Popullata e pakënaqur”, u tha se qytetarët e veriut të Mitrovicës, janë tubuar sot për të dërguar porosi të qartë se Aleksander Vuçiç me politikën e tij, si dhe Lista serbe, nuk përfaqësojnë më serbët që jetojnë në Kosovë.

“Shprehim pakënaqësinë tonë kundër largimit të barrikadave, të cilat u hoqën pa përmbushjen e plotë të kushteve të serbëve”, u tha mes tjerash gjatë protestës.

Gjatë protestës u dëgjuan këngë nacionaliste për Kosovën dhe Millosh Obilicin, u brohorit Serbia, si dhe protestuesit mbanin mbishkrimin “Vuçiç, Kosova nuk të dëshiron, na ke tradhtuar, nuk e duam as Asociacionin tënd, na ke shitur”.

Protesta ka zgjatur rreth 45 minuta dhe nuk është shënuar ndonjë incident, ndërsa forca të shtuara të sigurisë, si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, kanë vëzhguar situatën nga afër.