Australi: Përmbytje shkatërruese, izolohen komunitetet në veriperëndim të vendit

Përmbytjet kanë arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave në Australi, ku shumë komunitete në veriperëndim të vendit janë izoluar.

Reshjet e dendura të shiut vijojnë prej ditësh, ndërsa në Kimberley, një zonë pothuajse tre herë më e madhe se Mbretëria e Bashkuar është shpallur gjendja e jashtëzakonshme

Qyteti i Fitzroy Crossing, një komunitet prej rreth 1,300 banorësh, është një nga më të goditurit, teksa qytetarët u ndihmuan duke i dërguar furnizime me transport ajror pasi rrugët u përmbytën.

Kryeministri australian, Anthony Albanese, i quajti përmbytjet katastrofike, ndërsa premtoi ndihmë federale. 

"Këto përmbytje kanë një ndikim shkatërrues, shumë nga këto komunitete janë në vështirësi të mëdha dhe mbërritja e ndihmës atje është shumë e vështirë për shkak të përmbytjeve të rrugëve. Qeveria ime është e gatshme të ofrojë çdo mbështetje që kërkohet", tha ai.

Autoritetet e emergjencës të Australisë Perëndimore thanë se avionët e Forcave të Mbrojtjes Australiane po përdoreshin për të ndihmuar komunitetet e goditura nga përmbytjet dhe helikopterët Chinook po ndihmojnë banorët e prekur për t’u zhvendosur.