Durrës: Vodhën 15 mijë lekë në një dyqan ushqimoresh, autorët bien në prangat e policisë

Mbrëmjen e djeshme, në lagjen 15 të qytetit të Durrësit dy shtetas shqiptarë kanë vjedhur xhiron ditore të një biznesi ushqimoresh.

Policia e Durrësit ka bërë të mundur zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe arrestimin e personave përgjegjës si dhe janë sekuestruar automjeti dhe veshjet që përdorën gjatë kryerjes së vjedhjes.

Bëhet me dije se të dy shtetasit e arrestuar, janë të dënuar më parë për vjedhje dhe për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas njoftimit të marrë mbrëmjen e datës 06.01.2023, për një rast vjedhjeje të ndodhur në një biznes (dyqan me produkte ushqimore), në lagjen nr. 15, Durrës, organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes, për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorëve të kësaj vjedhjeje.

Bazuar në provat e siguruara falë reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës, në kuadër në kuadër të operacionit policor “Step by step”, u bë identifikimi dhe arrestimi i shtetasve: O. M., 34 vjeç, banues në lagjen nr. 16, Durrës, i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve; E. Sh., 35 vjeç, banues në lagjen nr. 13 Durrës, i dënuar më parë për vjedhje.” – njofton policia.