'I vumë kapak aludimeve'/ Olta Xhaçka: Mandati i Yuri Kim ka përfunduar!

Ndërkohë gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, konfirmoi se mandati i ambasadores së SHBA, Juri Kim ka përfunduar. Xhaçka foli edhe për amnistinë fiskale, duke thënë se qeveria do ta miratojë me çdo kusht, pavarësisht kundërshtimeve nga BE.

Syri Tv

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka konfirmuar se mandati i ambasadores amerikane në Shqipëri, Juri Kim, ka përfunduar.

Në përpjekje për të justifikuar deklaratën e Ministrisë së Jashtme, që sqaroi se kanë nisur procedurat për zëvendësimin e ambasadores amerikane, Xhaçka deklaroi se njoftimi i Ministrisë që drejton, u bë me qëllim për t'i vënë kapak aludimeve në media. 

"Nuk do shumë mend për të kalkuluar se kur fillonte dhe kur mbaronte mandati i ambasadores së SHBA. Dhe u gjykua që të mos bëhej ky proces pis me teori komploti, me lobime kundër ambasadores, të thuhej thjeshtë që është konsumuar një mandat dhe ka nisur një proces për zëvendësimin. T'i vemë kapak thashethemeve dhe kërkesave për informacion sepse këtu nuk ka absolutisht asnjë gjë për t'u shënuar".

Olta Xhaçka, ministre për Europën dhe Punët e Jashtme 

Gjatë konferencës për media, në përmbledhje të punës një vjeçare të Ministrisë së Jashtme, Xhaçka konfirmoi se qeveria do t'i shkojë deri në fund, miratimit të pasaportave të arta dhe amnistisë fiskale, pavarësisht kundërshtimeve të Bashkimit Europian, me justifikim që këto nisma janë bërë edhe nga vende të tjera europiane. 

Sigurisht që edhe pasaportat e arta, marrja e shtesësisë përmes investimeve, edhe amnistia fiskale, nuk janë shpikje shqiptare, nuk janë asnjë gjë e re. I kemi parë në vendet e BE siç janë aplikuar dhe vazhdojnë të aplikohen. Ne sot jemi në një bashkëpunim të ngushtë teknik me komisionin, me vende të caktuara të BE të cilat po na ndihmojnë që të kemi draftin më të mirë. Por, amnistia fiskale do të bëhet. 

Olta Xhaçka, ministre për Europën dhe Punët e Jashtme 

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, deklaroi se bisedimet me Greqinë për çështjen e detit janë në fazën e diskutimeve teknike, pa dhënë një datë se kur Tirana dhe Athina zyrtare do t'i drejtohen për zgjidhje Gjykatës së Hagës.

Xhaçka njoftoi se përgjatë vitit 2023, Tirana do të mirëpresë Samitin e Berlinit.