'Më jep x% paradhënie'/ Strazimiri: Si po zhvaten qytetarët nga 'shefat' që të mbarojnë punë në qeveri...

Anëtari i Kryesisë së PD, Gent Strazimiri shprehet se korrupsioni në vend ka arritur nivele marramendëse. 

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ish-deputeti demokrat shprehet se janë shtuar rastet e mashtruesve që shtiren si 'shefa' që të mbarojnë punë në qeveri.

Ai thekson se korrupsioni në këtë vend është shndërruar normalitet, pasi biznese dhe qytetarë të shumtë po u paguajnë shuma të konsiderueshme 'shefave' në mënyrë që të mbarojnë punë.   

"Korrupsioni është aq endemik, saqë ka prodhuar një sub-ekonomi kriminale në lulëzim, paralele me atë "ekonomi" që është rregulli faktik i sporteleve dhe zyrave: më jep x% si paradhënie që të mbarosh punë... Fenomeni është aq i përhapur dhe intensiv, saqë ka përfshirë jo vetëm zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të qeverisë, por edhe të afërm të tyre", shkruan Strazimiri.

Postimi i plotë
Tek korrupsioni, qeveria nuk e toleron konkurencën!

Shtimi i rasteve të mashtruesve që shtiren si "shefa" që "të mbarojnë punë" në qeveri, por më shumë fakti se bizneset e qytetarët janë të gatshëm t'u paguajnë shuma marramendëse duke u besuar, tregon se në këtë vend korrupsioni është rregulli.

Korrupsioni është aq endemik, saqë ka prodhuar një sub-ekonomi kriminale në lulëzim, paralele me atë "ekonomi" që është rregulli faktik i sporteleve dhe zyrave: më jep x% si paradhënie që të mbarosh punë...

Fenomeni është aq i përhapur dhe intensiv, saqë ka përfshirë jo vetëm zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të qeverisë, por edhe të afërm të tyre.

Sot, që të zhvillosh këtë "aktivitet", mjafton të dëshmosh me besueshmëri se je zyrtar, ish-zyrtar apo qoftë edhe i afërm i njërit prej tyre, që viktima të hapë qesen e të paguajë, gjithmonë në përputhje me rregullin e përqindjes që të gjithë e dinë se sa është...

Pjesëmarrja në aktivitete elektorale në krah të kandidatëve të qeverisë, dhe publikimi i tyre në rrjetet sociale është njëkohësisht kusht "sine qua non" por edhe prova që mashtruesi është me të vërtetë "punëmbaruar"...

Arrestimet intensive të mashtruesve që shtiren si zyrtarë të korruptuar të qeverisë apo si korruptorë a sekserë të tyre, tregon thjeshtë faktin se kur vjen puna të paraja që gjeneron korrupsioni, qeveria nuk fal!

Tek paraja e korrupsionit, qeveria nuk e toleron konkurencën!

KAQ!