Erozioni, banorët e fshatit Topojë në alarm: Deti po na afrohet pranë shtëpive

Banorët e fshatit Topojë në Seman të Fierit ngrenë shqetësimin se ujërat e detit Adriatik po u marrin shumë sipërfaqe toke. Ata kërkojnë të ndërtohen prita, pasi vitet e fundit deti është afruar shumë drejt banesave dhe ka dëmtuar më mijëra ha tokë bujqësore. 

Ujërat e detit Adriatik kanë marrë shumë sipërfaqe toke në bregdetin e Semanit si shkak i erozionit dhe mosmarrjes së masave për të ngritur prita. Alarmi ngrihet nga banorët e fshatit Topojë të njësisë administrative Seman në Fier të cilët në vijë ajrore janë në distancë rreth 2 kilometër larg vijës bregdetare. Ata kërkojnë të ndërtohen prita, pasi vitet e fundit deti është afruar shumë drejt banesave.

Ata tregojnë se problemet kanë filluar qëkur u kryen punimet nga TAP për gazsjellësin, ndërsa situata po shkon drejt përkeqësimit.

Drejtori i Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës Bujqësore në Këshillin e Qarkut Fier, Asqeri Ruko pohon se në vitet e fundit fenomeni natyror i zaptimit të bregut ranor nga deti shkon në 1420 ha, por tashmë edhe tokat bujqësore janë kripëzuar.

Por Ruko thotë se ka pasur rënie të sipërfaqeve të tokave të dëmtuara në vitin 2022, sipas tij falë ngritjes së pritave.

Të gjendur në kushte të tilla ku çdo vit deti merr sipërfaqe toke në Seman duke prishur edhe biznese që ushtrojnë aktivitetin e tyre vetëm në 5 muaj të vitit, banorët shprehin shqetësimin se qeveria edhe pse është në dijeni të këtij fenomeni, nuk po merr asnjë masë për ngritjen e pritave.