VIDEO/ Tirana kaotike, Bashkim Zahaj flet për Syri Tv: Sheshi ka ndërprerë siluetën e qendrës

Nga Syri Tv

Skenografi dhe arkitekti Bashkim Zahaj është i shqetësuar për gjendjen kaotike që kanë krijuar ndërtesat shumëkatëshe në kryeqytet.

Sipas artistit, sahati e xhamia janë mbuluar nga një xhungël ndërtesash, kurse sheshi ka ndërprerë siluetën e qendrës. Zahaj shtron dhe një pyetje alegorike për kryeministrin Rama.

Tirana kaotike, frymën e së cilës e kanë bllokuar ndërtesat shumëkatëshe e pa kriter, ka qenë gjithherë kryefjala e ndjeshmërisë së skenografit dhe arkitektit Bashkim Zahaj.

I indinjuar me çka sheh përreth, artisti liston të metat e sheshit Skënderbej. 

"Sheshi ka ndërprerë të gjithë siluetën e qendrës së Tiranës. Në skajet e këtij sheshi sheh një siluetë gjithmonë të pjerrët, Bankën e sheh të përgjysmuar, Muzeun po ashtu, TOB, dhe nga ana e Skënderbeut njësoj. Për të mos folur pastaj për atë që është pas Skënderbeut. Ai është një livadh që i plotëson të gjitha kushtet për të lëshuar bagëtitë për të kullotur. Është një fatkeqësi shumë e madhe". 

Bashkim Zahaj, arkitekt

Zahaj sugjeron një plan të ri vendosjeje pranë kompleksit historik, Sahatit të Tiranës e Xhamisë së Et’hem Beut, që tashmë është mbytur nga hija e ndërtesave të reja.

Një sfond xhami, ku në në dy ballinat e këndit do të reflektoheshin të dy objektet, por këtë sipas tij do ta bënin vetëm ata që e duan kryeqytetin. 

"Ka qenë në planimetri një L-xhami ku të reflektohej në të dy faqet e saj Sahati dhe Xhamia. Sot nuk flitet fare për këtë gjetje. Aty është një xhungël ndërtimi".

Bashkim Zahaj, arkitekt 

Bashkim Zahaj shtron një pyetje alegorike për kryeministrin Rama. 

"Si mund ta bëjmë Tiranën akoma edhe më keq se është?" 

Bashkim Zahaj, arkitekt

Në një kohë kur trashëgimia kulturore është në zgrip, për dorëvëniet në monumente e për shkatërrimin e kujtesës, të vetmit fajtor sipas Zahajt janë institucionet shtetërore.