Plagoset rëndë polici nga shpërthimi i gomës së kamionit, pritet helikopteri

Një efektiv i Policisë Rrugore në Peshkopi është plagosur rëndë nga shpërthimi i gomës së një kamioni, që kishte bllokuar trafikun.

Polici me inicialet T.T është lënduar rëndë në të dy këmbët dhe tashmë po pritet që Ministria e Shëndetësisë të dërgojë helikopterin për ta dërguar me shpejtësi tek Spitali i Traumës në Tiranë.

Policia e Shtetit dha detajet se si ndodhi ngjarja:

"Rreth orës 14.00, në vendin e quajtur 'Qenok', aksi rrugor Maqellarë-Peshkopi, një mjet i tonazhit të rëndë kamion ka pësuar defekt duke bllokuar aksin rrugor. Menjëherë patrulla e Policisë Rrugore ka shkuar në vendin e ngjarjes me qëllim menaxhimin dhe hapjen e trafikut për automjetet.

Gjatë momentit që punonjësi i Policisë Rrugore  po rregullonte trafikun,  ka plasur  njëra nga gomat e kamionit dhe është lënduar rëndë punonjësi i policisë rrugore shtetasi T.T.

Punonjësi i Policisë është dërguar në spital dhe  ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pasi ka dëmtuar të dy këmbët.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje.

Pritet helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë për të transportuar  punonjësin e Policisë drejt Tiranës për ndihmë mjekësore më të specializuar."