Audio-përgjimi i vitit 1991/ Ai ishte Rama ‘çimka’ e Sigurimit të Shtetit?

Viti i ri nisi me publikimin e një audio-përgjimi të para 30 e ca viteve në emisionin ‘Opinion’ në TV Klan.

Bëhet fjalë për një takim ku shfaqen së bashku Edi Rama, Sali Berisha, Azem Hajdari dhe Sali Shijaku. Në këtë takim, katër protagonistët flisnin me pasion dhe binin dakord me njëri-tjetrin, për të organizuar rrëzimin e një regjimi, regjimit komunist.

Bëhet fjalë për një regjistrim të datës 4 janar 1991, i realizuar në një studio të Tiranës në rrugën “Mine Peza”, ku ndodheshin një seri studiosh piktorësh.

Megjithatë, audio-përgjimi ka ngritur një valë me reagime dhe teori konspirative, sidomos tek disa zëra pranë opozitës së opozitës.

E vërteta duket shumë më ndryshe nga sa del prej konspiracioneve të kafeneve të Tiranës.

Përgjimi duket se është një spiunim i qartë i Sigurimit të Shtetit. Kjo mund të kuptohet së pari për shkak se zëri më i qartë i bisedës është ai i Edi Rama, çka ngre dyshime se ai mund ta ketë pasur përgjuesin me vete.

Por edhe nëse e dëgjon bisedën, bien në sy se ajo është ngritur me kurthe dhe provokime nga ana e Edi Ramës.

Në të vetmin rast kur Rama nuk reagon është kur thuhet se të gjithë anëtarët e Presidiumit janë kriminelë. Këtu përfshihej edhe babai i tij, Kristaq Rama.

Insistimi i Ramës si provokator gjatë kësaj bisede është që të dy drejtuesit e Partisë Demokratike të deklaronin se do të kishte dhunë.

Por duke i lënë mënjanë këto analiza të detajuara për teknikën e regjistrimit dhe mënyrën se si ka rrjedhur biseda, mjafton konteksti më i gjerë i situatës politike për të kuptuar se përse Edi Rama ishte në rolin e provokatorit.

Kur ndodhi Lëvizja Studentore dhe u themelua Partia Demokratike, Edi Rama ishte në Greqi me vizë, duke shijuar jetën si pinjoll i nomenklaturës.

Pas kthimit, ai tentoi që të bëhej pjesë e ngjarjeve të rëndësishme, si në këtë rast, duke provuar se ishte i futur nga Sigurimi i Shtetit, që përpiqej që të kontrollonte çdo situatë.

Në fund, edhe sikur të mos ishin këto konspiracione, vetë rrjedhja politike e dekadave në vazhdim ka treguar se kush është më afër trashëgimisë së Sigurimit të Shtetit.

Shihni qeverisjen e patronazhistëve sot dhe nuk keni nevojë të zhyteni në konspiracione që i prodhon vetë Rama pas kuintave.