Vjedhja/ Pastruesja e inskenoi të dukej si grabitje, i biri bënte jetë luksoze

Rozeta Dobi, 49-vjeç, ishte punësuar që t’u mirëmbante shtëpinë, por ajo në bashkëpunim me të birin, Havier Dobin, 23 vjeç, ka shpërdoruar besimin e dhënë nga pronarja e banesës dhe i ka vjedhur një shumë të konsiderueshme parash dhe sendesh me vlerë, që arrinin vlerën rreth 120 mijë euro.

Bëhet fjalë për 58150 euro, 7000 dollarë, 368 000 lekë të rinj, sende me vlerë (aksesorë floriri), të cilët janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Rozeta Dobi së bashku me të birin, Havier, pasi kanë vjedhur paratë në banesën në rrugën e 'Kosovarëve' në Tiranë, kanë blerë edhe 2 makina Benz, të cilat 23-vjeçari i reklamonte në rrjetet sociale. Po ashtu policia ka sekuestruar edhe një makinë të tretë që përdorej nga i riu.

Denoncimi për vjedhjen është bërë më 15 dhjetor nga pronarja e banesës, e cila jetonte bashkë me të bijën, pasi ishte e divorcuar dhe mësohet se ka biznese e të ardhura të bollshme.

Burime bëjnë me dije se vjedhja është bërë me çelësin që ka patur pastruesja. Më pas ata kanë bërë rrëmujë për të improvizuar një skenë të autorëve të rastësishëm, sikur ishte kryer grabitje. Më pas janë mbajtur nën vëzhgim personat e dyshuar mes të cilëve nënë e bir dhe nisur nga shpenzimet e kohëve të fundit kanë lindur dyshimet se ishin ata autorët.

Havier Dobi, 23-vjeçari i cili bashkë më të ëmën vodhi deri në 120 mijë euro (para dhe sende me vlerë) në një banesë në Tiranë, ku e ëma punonte si pastruese, reklamonte një jetë luksozë në rrjetet sociale.

I riu në rrjetin social Tik-Tok shihet teksa shëtit me makina luksoze në Tiranë. Në një nga videot e publikuara, Havier Dobi nuk lë pa i bërë edhe një dedikim mamasë së tij: ‘Hej mom, ti je dashuria më e madhe që kam’, dedikim të cilin e kishte bërë tatuazh.