'Arrestimi i kapos meksikan sa për sy e faqe ndaj SHBA-së, jo sinjal ndryshimi'

Mexico City - Kapja nga Meksika e djalit të ish-bosit të kartelit Sinaloa, Joaquín "El Chapo" Guzmán këtë javë, ishte një rast i izoluar i një strategjie të luftës kundër drogës, që qeveria aktuale e Meksikës e ka braktisur dhe jo një shenjë se mendimi i Presidentit Andrés Manuel López Obrador ka ndryshuar, thanë ekspertët.

Arrestimi i Ovidio Guzmán në bastionin e kartelit Sinaloa në Culiacan të enjten erdhi me koston e të paktën 30 jetëve të humbura – 11 nga forcat e ushtrisë dhe të ligjit dhe 19 persona të kartelit. Por analistët parashikojnë se kjo nuk do të ketë ndonjë ndikim në vërshimin e drogës në Shtetet e Bashkuara.

Ishte një spektakël force - helikopterë, qindra trupa dhe automjete të blinduara - në fillimin e një procesi të mundshëm ekstradimi dhe jo një hap domethënës në përpjekjet e meksikanëve për të shkatërruar një nga organizatat kriminale më të fuqishme të vendit. Ndoshta rastësisht, operacioni u krye vetëm disa ditë përpara se presidenti i SHBA Joe Biden të bënte vizitën e parë të një lideri amerikan në pothuajse një dekadë.

Presidenti meksikan López Obrador e ka bërë të qartë gjatë katër viteve të para të mandatit të tij gjashtëvjeçar se ndjekja e kapos të drogës nuk është prioriteti i tij. Kur forcat ushtarake kapën djalin e Guzman në Culiacan në vitin 2019, Presidenti urdhëroi lirimin e tij për të shmangur humbjet e jetës pasi persona të armatosur filluan të qëllojnë nëpër qytet.

E vetmja kapje tjetër e madhe nën qeverisjen e tij ishte ajo e një të moshuari, Rafael Caro Quintero, korrikun e kaluar – vetëm disa ditë pasi López Obrador u takua me Biden në Shtëpinë e Bardhë. Në atë pikë, Caro Quintero kishte më shumë rëndësi simbolike sepse kishte urdhëruar  vrasjen e një agjenti të DEA dekada më parë sesa kishte peshë reale në botën e sotme të drogës.

"Meksika duhet të bëjë të paktën minimumin përsa i përket përpjekjeve kundër drogës," tha Mike Vigil, ish-shefi i operacioneve ndërkombëtare të DEA-s, i cili kaloi 13 vjet të karrierës së tij në Meksikë.

"Unë nuk mendoj se kjo është një shenjë se do të ketë bashkëpunim më të ngushtë, bashkëpunim dypalësh, nëse do ta donit, midis Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës."

Ndërsa kapja e një krimineli është një fitore për drejtësinë dhe sundimin e ligjit, Vigil tha, ndikimi në atë që ai e sheh si një "fushatë të përhershme kundër drogës" është zero.

“Në të vërtetë ajo që duhet të bëjmë këtu në Shtetet e Bashkuara është që duhet të bëjmë një punë më të mirë në drejtim të reduktimit të kërkesës për drogë.”