E vrau fqinji pasi i shkatërroi shtëpinë: Shqiptari dhe italiani dikur ishin miq

Një vrasje tronditi dje zonën e San Polos në Itali.

Një italian 53-vjeçar, i quajtur Sandro Mugnai, qëlloi për vdekje fqinjin e tij shqiptar, Gëzim Dodoli, 57 vjeç.

Gjithçka nisi kur familja e italianit ishte bashkuar për një drekë, e cila duhej të ishte e gëzuar.

Por nga jashtë u dëgjuan zhurma. Shqiptari po drejtonte një ekskavator, dhe po godiste shtëpinë e italianit. Fillimisht goditi dritaret e katit të parë, më pas çatinë.

Në këto momente terrori, italiani mori pushkën e gjuetisë dhe qëlloi mbi shqiptarin. Katër plumba e morën në trup, duke i shkaktuar vdekjen.

Askush nuk di të thotë me saktësi se përse erdhi ky krim. Ajo që dihet është se italiani dhe shqiptari dikur kishin qenë miq. Familjet e tyre shkonin mirë me njëri-tjetrin, edhe fëmijët e tyre ishin shokë.

Por për një periudhë kohe, shqiptari u largua drejt Milanos. Kur u kthye, ishte vetëm, një nga djemtë kishte mbetur me nënën e tij në Lombardi.

Pas disa zënkave me italianin, gjërat u acaruan ndjeshëm, derisa erdhi ngjarja tragjike e një dite më parë.

Mugnai ishte farkëtar me profesion, por edhe gjahtar për pasion. Banorët thonë se ishte një njeri i respektuar dhe i përkushtuar ndaj punës së tij.

Tani ai ndodhet në burg me akuza të rënda mbi shpinë. Së shpejti pritet të dëgjohet dëshmia e tij, e cila mund të zbardhë më shumë detaje për këtë ngjarje kaq të rëndë.