Kërkohej nga Interpoli, arrestohet në Morinë një kriminel turk i dënuar me 25 vjet burg

Policia shqiptare ka vënë në pranga në pikën e kalimit kufitar të Morinës, një 36-vjeçar turk me emrin Kesim Sedal, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli për grabitje, pengmarrje dhe trafik droge. Gjykata turke e kishte dënuar me 25 vjet burg në mungesë.

Në njoftimin e Policisë shqiptare thuhet:

“Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Morinë, bazuar në analizën e riskut dhe në informacionet e dërguara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, të siguruara nga inteligjenca informative, kanë kaluar në vijën e dytë në hyrje të Republikës së Shqipërisë, automjetin me të cilin udhëtonte shtetasi turk Kesim Sedal.

Pas verifikimeve të thelluara të kryera në bashkëpunim dhe me Interpol Tiranën, ka rezultuar se shtetasi turk Kesim Sedal, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, Turqi, pasi Gjykata Kriminale Hakkari, me vendimin e datës 9.06.2015, e ka dënuar me 15 vjet burgim, për veprat penale “Vjedhja me armë”, kryer në bashkëpunim dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”, ndërsa me vendimin e datës 17.05.2016, e ka dënuar me 10 vjet burgim, për veprën penale “Trafikim droge”, parashikuar nga Kodi Penal i Turqisë.

Në vijim të veprimeve shtetasi Kesim Sedal, 36 vjeç, u arrestua me qëllim ekstradimi drejt Turqisë dhe nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Ankara, vijojnë veprimet procedurale për ekstradimin e tij.”