Plagosja e 2 të rinjve serbë në Shtërpcë, reagon BE: Të hetohet ky krim i neveritshëm

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se BE-ja e dënon ashpër plagosjen që ka ndodhur në Shtërpcë të premten, ku janë plagosurnjë 11-vjeçar dhe tjetri 21.

Ai, në një postim në Twitter, tha se BE-ja e dënon me vendosmëri plagosjen e dy të rinjve serbë dhe ka kërkuar nga autoritetet e vendit të hetojnë plotësisht rastin, njofton RTK.

 “BE-ja dënon me vendosmëri plagosjen e një fëmije dhe një të riu në Kosovë dje. Është e rëndësishme që autoritetet të hetojnë plotësisht këtë krim të neveritshëm dhe drejtësia të ushtrohet. I urojmë viktimave shërim të plotë dhe të shpejtë”, ka shkruar Stano.

Njëri nga të plagosurit është 11-vjeç kurse tjetri 21. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se e ka arrestuar një person dhe se është konfiskuar arma me të cilin është kryer vepra.

 

I arrestuari nga policia e Kosovës si i dyshuar për plagosjen e dy personave në fshatin Drajkovc të Shtërpcës është pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës. Një gjë të tillë e ka konfirmuar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përmes një njoftimi në Facebook.  

“Tani u njoftova se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë”, ka theksuar ministri Mehaj, pa dhënë detaje tjera lidhur me personin në fjalë.

Ai ka shprehur keqardhjen më të thellë për atë që ka ndodhur në Shtërpcë dhe të plagosurve u ka uruar shërim sa më të shpejtë.

“Raste si kjo janë të izoluara, por si të tilla nuk guxojnë të ndodhin. Ministria e Mbrojtës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës mbeten të përkushtuar për t'i shërbyer qytetarëve tanë pa dallim”, ka thënë tutje ministri Mehaj.