Policia e Kosovës heq barrikadën e vendosur në Shtërpcë

Policia e Kosovës e ka hequr barrikadën e vendosur në fshatin Gotovushë që të shpie për në qytetin e Shtërpcës.

Kjo barrikadë u vendos si shenjë proteste ndaj plagosjes së dy të rinjve serbë në fshatin Drajkovc të Shtërpcës.

Më parë, Policia e Kosovës shtoi numrin e zyrtarëve policorë në pjesën ku qëndruan protestuesit serbë.

Atje rruga ishte e bllokuar pas rastit të plagosjes së 11-vjeçarit dhe 21- vjeçarit.

Policia e Kosovës ka njoftuar sot se dy qytetarët në Shtërpcë, njëri 11 e tjetri 21 vjeç, u plagosen nga një veturë në lëvizje.

Policia shumë shpejt arrestoi të dyshuarin, i cili është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Për rastin kanë reaguar edhe krerët institucionalë, teksa dënuan sulmin.

Po ashtu, për rastin reagoi edhe komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi, ku tha se i beson hetimit të autoriteteve të Kosovës.

Ndërkaq, EULEX-i dënoi “sulmin e pakuptimtë” ndaj dy të rinjve në Shtërpcë.