Djalë i dëshmorit të UÇK-së/ Kush është autori i sulmit ndaj serbëve në Shtërpcë

Dy të rinj, mes të cilëve një i mitur, mbetën të plagosur sot pas një rasti ende të pazbardhur në Shtërpcë. Por, në këtë rast, fatkeqësisht duket se është i dyshuar një ushtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Policia e Kosovës njoftoi që A.K. ishte arrestuar tashmë, ndërsa për rastin reaguan edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri Armend Mehaj.

Ky i fundit tha se ishte njoftuar “se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës” derisa e dënoi ashpër rastin.

Por, kush është A.K.?

Syri.net Kosova ka mësuar se bëhet fjalë për A.Kurtajn nga Kaçaniku, të birin e Danush Kurtajt. Danush Kurtaj është dëshmor i UÇK-së në luftën e fundit në Kosovë dhe kishte mbetur i plagosur rëndë më 21 maj të vitit 1999 për të vdekur një ditë më pas. Ai kishte qenë i burgosur në Dubravë dhe ishte mes shumë viktimave në masakrën e kryer nga forcat serbe.

Më 25 nëntor, ose më pak se dy muaj më parë, A. Kurtaj kishte qenë mes ushtarëve të Kosovës që ishin dekoruar nga Ushtria e Shqipërisë.

Kurtaj raportohet se është 33 vjeçar.

Për arrestimin e të riut kaçanikas, ka raportuar edhe një faqe lokale, duke publikuar fotografinë e tij.

Deri tash nuk dihet se si saktësisht ka ndodhur ngjarja (përveç që ishte shtënë nga automjeti në lëvizje) apo motivi prapa saj.