Mediu: Berisha autoriteti kryesor i opozitës. Duhet një model federativ për opozitën

Për kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu autoriteti kryesor i opozitës është Sali Berisha. Gjatë diskutimit në ‘Çim Peka LIVE’, Mediu është shprehur se opozita duhet të hapet edhe ndaj diasporës, me qëllim që kjo e fundit të japë kontributin e saj.

Mediu është shprehur përballë moderatorit Çim Peka, se opozita duhet të formatohet në tipin e një federate.

‘Autoriteti kryesor i opozitës është Sali Berisha. Unë kam një histori marrëdhëniesh, raport zyrtar dhe politik prej vitesh. Ajo që unë dua është që Berisha të kthehet në strumbullarin e bashkimit të opozitës shqiptare, siç edhe e ka bërë herë tjetër.

Kjo është më e rëndësishmja për të mos përjashtuar askënd.  Ka ardhur koha që si Berisha, Mediu, Duka etj., të ofrojnë një sjellje të re politike për të sjellë prurje të reja, edhe nga diaspora që të bëjmë një kapërcim kualitativ nga ai KOP-i i famshëm që kishim, të dalim në kualitet më të organizuar të pjesës së diasporës për të qenë pjesë e opozitës.

Unë kam bindjen që opozita duhet të vijë në një format të tipit federate. Të ketë një identitet të qartë politik, të ketë qendra pozitive reference’, u shpreh Fatmir Mediu në SYRI TV.