Mediu: Opozita të ketë vetëm një kandidat në 14 maj. Dalja me dy është rënie në lojën e Ramës

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu deklaron se opozita duhet të dalë vetëm me një kandidat në zgjedhjet vendore të 14 majit. 

Çim Peka Live, Mediu tha se dalja me dy kandidatë i shërben Edi Ramës. 

Mediu foli edhe për drekën e deputetëve të PD, në prag të festave të fundvitit, duke shtuar se ajo i shërbeu bashkimit të grupit parlamentar demokrat. 

Kreu i PR tha gjithashtu se dy grupet duhet të arrijnë marrëveshje për daljen me kandidatë të përbashkët dhe me logon zyrtare të PD. 

"Ne kemi diskutuar nevojën që opozita të ketë një kandidat të vetëm. Në mënyrë të padiskutuershme duhet të kem një kandidat të vetëm. Dalja me dy kandidatë është rënie në lojën e Edi Ramës. Çdo lloj marrëdhënie opozitare në zgjedhje me dy kandidatë është një nga momentet më të vështira. Kishte gatishmëri për të diskutuar se nga propozimet që vijnë kush është kandidati më i mirë. Primaret kanë qenë një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv për demokratizimin e PD, por nuk them që ka qenë një proces absolut që nuk mund të gjykohet. Por edhe kandidatët që dalin nga depoutetë, mund të jenë figura të mira, por nuk mund t'i përcaktojë askush nga ne. Ka një kandidat primaresh që është përcaktuar dhe kandidatë të tjerë që duhet të testohen se kush është më i mirë. Primaret kanë zgjedhur brenda PD atë që është kandidati më favorit. Po të shkojmë në një rrafsh më të gjerë opozitar, mund të ketë edhe figura të tjera. Ka poll-e që organizohen, s'është ndonjë proces i vështirë. Numri i bashkive ku ka konkurrim është i kufizuar. Mund të jenë 10 bashki. Humbja e këtyre bashkive është më e madhe se organizimi i një sondazhi se kush është më i miri. Dhe ajo që është e rëndësishme është dalja me logon e PD si unitet dhe jo të ndarë. Të bëhet një marrëveshje për kandidatë të përbashkët, PD të dalin nën logon e PD sepse ligji zgjedhor nuk na e lejon të dalim ndryshe, ose me një logo tjetër, ose me logon e PD. Me zotin Berisha nuk e kam diskutuar, por me kolegë të tjerë brenda PD dhe nuk kam gjetur ndonjë reagim negativ. Atë ditë kemi diskutuar si mund të shtyjmë drejt këtij procesi, unë nuk kam autoritetin për të zgjidhur këtë punë. Unë, zoti Duka dhe kolegë të tjerë duam një kandidat", u shpreh Mediu.