Kongresi Amerikan dështon edhe në raundin e 12-të, Dhoma e Përfaqësuesve ende pa kryetar

Udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, ka dështuar në përpjekjen e 12-të për t’u zgjedhur kryetar, duke krijuar një paralizë të qeverisë amerikane që nuk është parë që nga epoka e para Luftës Civile.

Mirëpo, në votimin e 12-të ka shenja pozitive. 14 republikanë ndryshuan mendim dhe votuan për McCarthyn.

McCarthy në votimin e 12-të mori 214 vota. Është katër vota larg zgjedhjes si kreu i Dhomës së Përfaqësuesve. Kongresmenët që votuan pro tij janë besimplotë se do të arrihet numri prej 218 votave ditëve në vijim.

Republikanët morën përsipër Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet afatmesme të nëntorit, por ngërçi e ka lënë dhomën të paaftë për të betuar anëtarët ose për të miratuar projektligjet.

Që nga viti 1860, kur unioni i Shteteve të Bashkuara po vihej në pikëpyetje për çështjen e skllavërisë, dhoma e ulët e Kongresit nuk ka votuar kaq shumë herë për të zgjedhur një kryetar. Në atë kohë duheshin 44 raunde votimi.