Eksportet bujqësore rriten me 17%? Panariti: Shifra e Ramës spekulative, s'ka të dhëna nga INSTAT

Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti e konsideron lojë të Edi Ramës shifrën e nxjerrë prej këtij të fundit se eksporti i prodhimeve bujqësore në Shqipëri është rritur me 17%. 

Në një lidhje me skype për edicionin e orës 19:00 në Syri Tv, me moderatoren Juli Krisafi, Panariti tha se çdo deklarim pa pritur të dhënat e INSTAT, është spekulative. 

"Ne pasqyrën për gjendjen e bujqësisë duhet ta prisnim nga institucioni i autorizuar për këtë qëllim që është INSTAT, i cili ka një metodologji që i afrohet EUROSTAT, mbi bazën e të cilit duhet të përllogarisë treguesit bujqësorë dhe se sa këto tregues konvertohen në tregues financiarë mbi bazën e një metodologjie të caktuar. Çdo deklarim pa pritur të dhënat e INSTAT do të ishin thjesht spekulative. Nga ana tjetër ju thatë që raportohet si rritje 17% rritja në vlerë financiare. Unë kam ndjekur edhe statusin e zv/ministres, zonja Beqiraj, dhe në një analizë shumë të qartë thotë që rritja në vlerë financiare e eksporteve bujqësore nuk është e njëjta gjë me rritjen në vëllim të prodhimeve bujqësore. Për shkak të krizës në Ukrainë dhe konjukturave të tregjeve ku kemi një rritje me 16% të çmimeve të prodhimeve bujqësore, po kështu kemi një inflacion shumë të lartë, atëherë kuptohet se i gjithë ky atribut në 17% në vlerë i referohet këtyre konjukturave dhe nuk ka të bëjë fare me vëllimin bujqësor. Madje prodhimi bujqësor, sipas arsyetimit që bënte Beqiraj, pothuajse nuk ka ndryshuar fare, një rritje e papërfillshme. Të presim të dhënat e INSTAT, sepse raportohet vetëm rritja në vlerë e eksporteve, por harrohet që eksportet nuk janë vetëm prodhim bujqësor vendas. Kemi sektorë që në masën 19% të tyre eksportojnë ato që importojnë siç është peshkimi që 85-90% të eksporteve të tij i ka nga materiale importi, importon peshk nga jashtë, i përpunon dhe i rieksporton. Këto nuk mund të konsiderohen eksporte. Kjo nuk reflekton në rritjen dhe zhvillimin e sektorit që ka mbetur prej kohësh në stanjacion", tha Panariti. 

Ai këshillon qeverinë dhe kryeministrin Rama që të mos raportojë shifra të rreme për situatën e bujqësisë, pasi kjo do të ndikojë te fondet që jep BE për fermerët shqiptarë. 

"Çdo raportim që bëhet për gjendjen e bujqësisë duhet të jetë raportim i përgjegjshëm sepse në këtë bazë fotografohet gjendja e bujqësisë, numri i krerëve, sipërfaqet e mbjella, sepse në këtë bazë do të përllogariten edhe programet e asistencës, subvencionet që do të merren nga BE. Në rast se fryjmë në mënyrë brutale realitete që nuk ekzistojnë, atëherë kuptohet që nuk jemi seriozë dhe detyrohemi të shfryhemi, sepse dikush do të na monitorojë", shtoi ai.