SYRI TV/ EUROSTAT: Gjysma e pagës në Shqipëri, për ushqime

Pagën apo të ardhurat që marrin, familjet shqiptare i shpenzojnë më së shumti për të siguruar ushqimin. Sipas EUROSTAT, edhe pse me të ardhurat më të ulëta, shqiptarët sforcohen më së shumti për të siguruar ushqimin, përkundrejt familjeve europiane, që shpenzojnë vetëm 14. 3 % të të ardhurave. Nëse në vendin tonë e gjithë paga shkon për garantimin e mbijetesës, në Europë një familje shpenzon më së shumti për shtëpi, transport e argëtim.

Nga SYRI TV

Edhe pse raportet e fundit evropiane i tregojnë shqiptarët si populli me më pak të ardhura e në pamundësi për të garantuar fundin e muajit, një tjetër raport i EUROSTAT tregon se për çfarë i shpenzojnë paratë shqiptarët.

Sipas EUROSTAT, familjet shqiptare pjesën më të madhe të të ardhurave, 43,6 %, e shpenzojnë për t’u ushqyer që është shpenzimi minimal i domosdoshëm për të jetuar.

Por ndërsa për familjet shqiptare, sigurimi i ushqimit është shpenzimi kryesor, për familjet europiane kjo nuk është aspak problem.

Në vitin 2021, një familjeje europiane i mjaftonin vetëm 14,3% e shpenzimeve totale për të siguruar ushqimin, shifër kjo disa herë më e vogël se në Shqipëri.

Por jo vetëm me vendet e Bashkimit Europian. Në Shqipëri kostoja e ushqimit është më e lartë edhe se në vendet e rajonit.

Për Maqedoninë e Veriut treguesi është rreth 31%, për Bosnjë e Hercegovinën 29,5%, për Serbinë rreth 24%, për Malin e Zi 24,6%.

Ndërkohë që familjeve shqiptare u mbeten të ardhura minimale për shpenzime të tjera, familjet europiane më së shumti shpenzimet i kanë për mirëmbajtjen e shtëpisë me 25% të totalit, përkundrejt 13% tek ne, për shkak të faturave më të larta të dritave e ujit dhe qirave më të shtrenjta.

Por, sërish, europianëve u mbeten më shumë para në dispozicion, pasi heqin shpenzimet bazë të jetesës (ushqimin dhe shtëpinë).

Për t’u argëtuar (ku përfshihen pushimet, pajisjet audio-vizuale, shërbimet kulturore) familjet europiane shpenzojnë 8% të buxhetit, përkundrejt 6.1% të Shqipërisë.

Për transport, kjo peshë është 12.1%, pothuajse sa dyfishi i Shqipërisë për shkak të numrit më të lartë të automjeteve në raport me popullsinë (sërish tregues i mirëqenies), distancave më të gjata dhe lëvizjeve më të shpeshta në fundjavë.

Familjet europiane kanë më shumë para në dispozicion edhe për të kaluar kohë në restorante e hotele 6.6% përkundrejt 3.9% të familjeve shqiptare.

Ndonëse më të varfra, familjet shqiptare shpenzojnë për arsimimin e fëmijëve të tyre 2.6% të mesatares, përkundrejt 0.9% të Europës, teksa Europa ka sistem të mirë të arsimit publik, ndërsa në Shqipëri vitet e fundit është rritur numri i universiteteve private.

Shëndeti është një tjetër shpenzim i domosdoshëm, sidomos në vitin e pandemisë, ku edhe pse me një sistem më problematik shqiptarët shpenzojnë më shumë për shëndetin se sa një qytet i vendeve të BE.