Tjetër ‘bombë’ nga Twitter: Clinton nxiti luftë të rreme ndaj llogarive ruse

Vazhdojnë të dalin të tjera detaje bombastike nga të ashtuquajturat ‘Dosjet e Twitter’.

Këtë herë thuhet se kompania përfundoi në ‘duart’ e FBI pas presioneve të forta nga Partia Demokratike në SHBA.

Sipas Daily Mail, kompania u vendos nën presion të vazhdueshëm në vitin 2017 pas thirrjeve nga Demokratët që kompania të luftojë llogaritë ruse që po shpëndajnë dezinformacione.

Sipas emaileve të drejtuesve të kompanisë, ata u fokusuan fillimisht te kalimi i fajit te Facebook, pasi në Twitter kishte vetëm pak llogari me origjinë të dyshimtë ruse. Facebook kishte pezulluar 300 llogari të lidhura me Rusinë, por te kompania Twitter nuk ishin të preokupuar për këtë gjë.

Por gjithçka ndryshoi kur Hillary Clinton bëri thirrje që kompania ta marrë çështjen seriozisht.

Pak ditë më vonë, Twitter formoi task-forcën e saj për Rusinë, e cila në fakt arriti të gjejë vetëm tre llogari të lidhura direkt me Rusinë, dy prej të cilave të lidhura me kanalin televiziv Russia Today.

Kur Twitter e depozitoi raportin e investigimit në Senat, demokrati Mark Warner reagoi me zemërim. Ai tha se ky raport është i papërshtatshëm dhe vazhdoi presionin mbi kompaninë.

Kulmi arriti kur Hillary Clinton reagoi sërish, duke thënë: “Është koha që Twitter të mos zvarritet, por të reagojë ndaj faktit se platforma e tyre po përdoret si mjet për luftën kibernetike”.

Presioni politik bëri që FBI të ‘mbysë’ kompaninë me kërkesa për të luftuar llogaritë e dyshimta. Komunikimi mes Twitter dhe FBI u bë shumë i shpeshtë, aq sa në një pikë, FBI njihej edhe si butoni ndërmjetës mes qeverisë amerikane dhe rrjetit social.

Kjo lidhje e fortë mes FBI dhe Twitter erdhi duke u forcuar pasi kompanisë iu kërkua të bëhet kujdes edhe me postimet gjatë kohës së pandemisë.