Braziliani legjendar poshtëron trajnerin e Al-Nassr: Njeriu më i keq që kam takuar, do t’i shërbejë edhe mëngjesin Ronaldos

Legjendari brazilian Juninho kritikoi ashpër Rudi Garcia, trajnerin e Al-Nassr i cili do të ketë mundësinë të trajnojë Cristiano Ronaldon.

Juninho pati mundësinë të punonte me trajnerin francez te Lion dhe pohon hapur se ai është njeriu më i keq në botën e futbollit.

"Ai nuk di të drejtojë asgjë. E vetmja gjë që di është të fusë frikën në palcë. Përvoja ime me të është e tmerrshme. Njeriu më i keq që kam takuar në jetën time. Ai është një person i ftohtë, i pabesueshëm dhe i pasigurt”, tha Juninho për MaisFutebol.

Braziliani pretendon se trajneri francez do të tentojë të përdorë Ronaldon.

"Ai e di se kush është më i mirë se ai dhe përpiqet t'i përdorë ato. Cristiano Ronaldo është një nga më të mirët në historinë e futbollit dhe Rudi Garcia është përgatitur mirë për të. Do të përpiqet të jetë shoku i tij, do të bëjë gjithçka që është e mundur. Kjo do të jetë ëndrra e tij, të bëhet miku i Ronaldos. Mund edhe t’i shërbejë mëngjesin”, tha Juninho.

Kujtojmë se Ronaldo u prezantua zyrtarisht si lojtar i ri i Al-Nassr, me të cilin nënshkroi një kontratë dyvjeçare me vlerë 200 milionë euro në sezon.