Inflacioni në Eurozonë bie sërish në shifra njëshifrore, tendenca rënëse vazhdon

Inflacioni vjetor në të gjithë Eurozonën ra përsëri në territorin njëshifror dhe qëndroi te 9,2% në fund të dhjetorit, sipas një vlerësimi të shpejtë të publikuar nga Eurostat të premten në mëngjes.

Inflacioni filloi të lehtësohej në nëntor, por gjithsesi ishte në nivelin 10,1%.

Kjo vjen pasi çmimet e gazit, një nga shtytësit kryesorë të inflacionit rekord të vitit të kaluar, u kthyen në nivelet e paraluftës prej motit jashtëzakonisht të ngrohtë.

Edhe pse lajmi mund të shihet si një zhvillim pozitiv, norma e inflacionit të Eurozonës përfaqëson pothuajse pesëfishin e objektivit prej 2% të vendosur nga Banka Qendrore Evropiane.

Shumica e shteteve anëtare që përdorin euron si monedhë, panë ulje të inflacionit gjatë muajit të kaluar, me një rënie të dukshme në Gjermani, nga 11,3% në nëntor në 9,6% në dhjetor.

Spanja (5.6%), Luksemburgu (6.2%) dhe Franca (6.7%) shënuan normat më të ulëta të inflacionit në të gjithë bllokun, ndërsa Letonia (20.7%), Lituania (20%) dhe Estonia (17.5%) përsëri panë nivelet më të larta.

Inflacioni i energjisë ra ndjeshëm, nga 34,9% në nëntor në 25,7% në dhjetor, ndërsa ushqimet e freskëta pësuan një tkurrje më të moderuar, nga 13,8% në 12% gjatë muajit të fundit.

Megjithatë, inflacioni bazë, i cili përjashton çmimet e paqëndrueshme të energjisë, ushqimeve dhe duhanit dhe për rrjedhojë jep një pasqyrë më të saktë të gjendjes së ekonomisë, u rrit nga 5% në nëntor në 5,2% në dhjetor.

Në total, nëntë nga 19 shtete anëtare të Eurozonës mbetën në territor dyshifror. Kroacia, e cila miratoi euron në fillim të vitit 2023, nuk u përfshi në llogaritje.