Twitter: Misteri me hakerët që dyshohet se zbuluan emailet e më shumë se 200 milionë përdoruesve

Hakerët vodhën adresat e emailit të më shumë se 200 milionë përdoruesve të Twitter dhe i postuan në një forum online, sipas një studiuesi të sigurisë.

Bashkëthemeluesi i firmës izraelite të sigurisë kibernetike Hudson Rock, Alon Gal, tha se shkelja "për fat të keq do të çonte në shumë hakerime, phishing të shënjestruar dhe doxing". 

Ai tha në LinkedIn se kjo është "një nga rrjedhjet më të rëndësishme" që ai ka parë.

Twitter nuk komentoi për sa më sipër. 

Gal thuhet se bëri postimin e parë në mediat sociale më 24 dhjetor, dhe është e paqartë se çfarë hapash – dhe nëse – ka ndërmarrë Twitter për të hetuar këtë çështje. 

Ndërkohë në internet janë publikuar pamjet e ekranit nga forumi i hakerëve, ku shfaqeshin të dhënat e përdoruesve.

Megjithatë, Reuters nuk mund të verifikonte në mënyrë të pavarur që të dhënat në forum ishin autentike dhe vinin nga Twitter, dhe nuk ka asnjë tregues për identitetin ose vendndodhjen e hakerit ose hakerëve pas shkeljes.

Gjithashtu, pretendimet në lidhje me madhësinë dhe shtrirjen e shkeljes fillimisht varionin, me llogaritë e para në dhjetor duke thënë se 400 milionë adresa emaili dhe numra telefoni ishin vjedhur. 

Në fakt, mund të ketë ndodhur që në vitin 2021, përpara se Elon Musk të marrë pronësinë e kompanisë.