'5 Janari 1991 fillimi i erës së re të lirisë dhe demokracisë në Kukës'

Nga Admir Sinamati/

Sot kujtojmë një nga ditët më të shënura për Kukësin, 5 Janarin e vitit 1991 si momentin e fillimit të erës së re të lirisë dhe demokracisë në Kukës, ditë kjo që shënoi fillimin e fundit të frikës, terrorit komunist duke sfiduar hapur rregjimin më gjakatar -atë të Enver Hoxhës.

Përulemi me respekt dhe nderim në këtë ditë për Myftar Gjanën si i deleguar nga Komisioni Nismëtar i krijimit të PD i cili e ktheu shtëpinë e tij në vatër të mbledhjes dhe i priu përgatitjes së takimit me nismëtarët e parë të krijimit te Degës së PD Kukes: Urim Muja, Behar Duma, Isa Elezi, Bajazit Cahani, Sulejman Dida, Aneta Ahmati, Arben Meshi, Abdulla Nerguti, Mersin Gjana, Kamber Elezi, Isuf Spahiu, Besnik Elezi, Sul Petku, Ramadan Koldashi dhe Selim Istrefi, respekt dhe nderim për Pëllumb Gjanën që asokohe një djalë i ri sfidoi të ftohtin e asaj mbrëmjeje Janari për të siguruar mbarëvajtjen e takimit themelues.

Sot është gjithashtu një moment solemn kujtese për të gjithë ata demokratë që nuk janë më mes nesh, por kanë lënë në memorie përgjithnjë emrin dhe veprën e tyre në historikun e Partisë Demokratike.

Luma ka të gdhendur në historinë e saj te vjetër e te re ngjarje me rëndësi kombëtare. Për shkak të luftërave të pandërprera kundër pushtuesve sllavë, turq, nazifashistë etj., ka qenë në pararojën e lëvizjeve për liri e bashkim kombëtar pasi si motër e Prizrenit, ajo(Luma) ka lindur bij e bija që i kanë dalë zot jo vetëm krahinës por të gjitha trojeve shqiptare.

Nisur nga cilësitë e malësorëve si besa, trimëria e vetpërmbajtja Enver Hoxha pasi nuk ia doli që në fillimet e veta të implementojë vëllavrasjen për shkaqe politike në Lumë mblodhi nga katër anët e vendit njerezit e tij besnike, i solli këtu dhe instaloi në Kukës një nga klikat më gjakatare që me terror, vrasje, burgosje, internime dhe izolim kolektiv bëri që për 45 vjet jetesa ne Kukës të prekte nivelin e vendeve te Afrikës saharjane.

Në keto kushte me 5 Janar viti 91, këto burra dhe gra kurajoze ndezën pishtarin e dritës dhe rezistencës së hapur, duke bërë që pas 45 vitesh diktaturë për herë të parë te flitej dhe dëgjohej aroma e lirisë dhe demokracisë.

Festojmë sot me krenari të ligjshme, me nderim dhe mirnjohje të thellë për çdo anëtar të atyre ditëve të vitit 1991, për anëtarët ndër vite, për të rinjtë dhe të rejat, për çdo kontributor që ka vënë një gur në murin e shtëpisë sonë politike gjatë këtyre 32 viteve. Ata janë inkurajimi dhe frymëzimi ynë për çdo arritje.

Të nderuar të pranishëm,

viti që sapo ka startuar ështe një nga periudhat më të rëndësishme të ekzistencës sonë politike dhe vetë demokracisë shqiptare. Para nesh kemi nje sprovë të madhe; betejën me qeverinë më të korruptuar të planetit dhe tentakulat e saj këtu në Kukës.

Qytetari kuksian ka kohë që ndihet i papërfaqsuar. Kukësi, për fajin e pengmarrjes së drejtimit Partise Demokratike nga qeveria dhe aktorë që përfitojnë prej saj ka kohë që sundohet nga një klikë anadollake dhe e korruptuar. Pushtetin absolut që ka kryetari 8% i Bashkisë së Kukësit do ia kishte lakmi edhe ish -sekretari i Parë i PPSH Miti Nito.

Ai po përdor të gjithë fuqinë e pushtetit të vjedhur për të përgatitur deformimin haptazi e demokracisë dhe vullnetit të lirë të qytetarëve nëpërmjet dhunës, shantazhit ndaj votuesve të punësuar, punësimit abuzivist në këmbim të votës, tenderave abuzivë dhe blerjes së drejtpërdrejtë të votës; ndaj ashtu siç e shkërmoqëm në vitin 92 pushtetin absolut të diktatorës komuniste, do të largojmë të turpëruar duart e zgjatura të diktaturës së korrupsionit të Edi Ramës dhe Taulant Ballës ne Kukës.

Të nderuar Miq

Vitin e shkuar, ne demokratët kemi kryer nje proçes transformimi të thellë jo thjeshtë në kuptimin fizik por edhe filozofik duke vërtetuar faktin se liria jep fryte. Ne u futëm në një proçes kurajoz vetërregullues nëpërmjet Rithemelimit dhe prodhuam një praktikë të fortë demokratike për politikën.

Megjithëse me një dominancë absolute ne nuk e përdorëm këtë transformim si triumfalizëm, por me maturi kemi mbajtur qëndrim dashamirës dhe joselektiv edhe për minorancën e vetëdistancuar. Dyert e blinduara të PD ne i hapëm me votë masive dhe të lirë jo për të zënë një qoshe po për të qenë vatra e shpresës për idetë novatore dhe vlerat konservatore europiane. Me aplikimin e primareve dhe parimit “një anëtar një votë”, Partia jonë është sot më demokratike se kurrë. Siç është sanksionuar në statutin e 11 Dhjetorit 2021 në PD ka vend të garantuar për mendimin dhe aplikimin e mendimit ndryshe qoftë edhe me formacionin e franksionit kështuqë kam nje thirrje të hapur dhe publike për çdo individ apo grup demokratësh kuksian që është vetëdistancuar: “Jeni te mirpritur në familjen tonë politike”, pasi më shumë gjëra na bashkojnë sesa na ndajnë. Bashkimi juaj me trungun është edhe një detyrim karshi Kukësit që kërkon me padurim frymëmarrjen e lirë dhe pa barrën e rëndë që ka në kurriz.

Rithemelimi i Partisë Demokratike një vit me parë solli një qasje dhe një mendësi të re, bazuar në vlerat më të arrira të organizimit qytetar ku zëri i anëtarit qëndron në epiqendër të vendimarrjes politike.

Në primaret e demokratëve, risia më e plotkuptimtë në historinë politike shqiptare, si një kërkesë e drejtpërdrejtë e shumicës dërmuese të demokratëve dhe frymë e shumicës së shoqërisë kuksiane me datë 4 Dhjetor 2022 unë jam mandatuar për t’i prirë betejës elektorale të 14 Majit, për të kthyer pushtetin lokal të Kukësit në duart e qytetarëve; ndaj kjo gjë më bën akoma më të vetëdijshëm për përgjegjësinë dhe sfidat e reja. Koha na kërkon të jemi i madh e i vogël në këmbë, protagonistë mendjekthjellët, guximtarë të vendosur dhe fitues.

Unë ju garantoj se asnjë pengesë sado e madhe dhe sado e ashpër qoftë nuk e pengon dot rrotacionin e vonuar të pushtetit në Kukës dhe mbarë vendin.

Partia Demokratike e Shqipërisë ka qenë është dhe do të qëndrojë në themel të ëndrrës europiane te shqiptarëve, vlerave të demokracisë, pluralizmit dhe lirisë ndaj ne jemi krenarë që jemi demokratë.

Kjo është një lëvizje e mrekullueshme me nje kah të vetëm, FITORE. Kjo është detyra jonë që duhet ta realizojme pa asnje kompromis!

Të nderuar demokratë dhe demokrate,

Unë jam mbështetës dhe anëtar i Partisë Demokratike prej sa kohe kam filluar të gjykoj politikisht, jam njëri prej jush, jam mbështetur gjithmonë në vlerat konservatore që kanë në themel formatin e përkatësisë sonë ideologjike e që janë besimi ne Zot, dashuria per kombin dhe familjen, respekti ndaj ligjit dhe interesit publik.

Prandaj në emër te këtyre principeve themelore, duke e konsideruar veten si një shërbetor të devotshëm të Kukesit, i shtyrë nga përgjegjësia morale dhe intelektuale, i inspiruar fuqishëm prej anëtarëve të Partisë Demokratike, intelektualëve, sipërmarrësve lokalë, të rinjve dhe te rejave, emigrantëve dhe punonjësve të ndershëm të administratës shtetërore kam marrë përsipër me vetëdije të plotë këtë barrë, i bindur se së bashku do dalim fitimtarë dhe me faqe të bardhë.

Përgjatë ditëve që vijnë ju garantoj se do te jem syri i mprehtë, veshi i hapur dhe mendje e kujdesshme për të nëpërkëmburit, të spostuarit, secili të ri dhe të re, secili mbështetës dhe çdo kontribuesi në shtëpinë tonë të përbashkët, në mënyrë që të respektohet dhe vlerësohet puna dhe djersa e gjithësecilit.

Së fundmi, duke vlerësuar kontributorët demokratë kuksianë ndër vite dhe ata më të rinjtë, pavarsisht vetëpozicionimit aktual duke besuar se është njëri prej nesh, qofshin demokrat të orëve të para, apo burra të qëndresës dhe sakrificave të provuar në beteja dhe sfida të shumta në kohë opozite apo qeverisje, që çmojnë se duhen shkulur rrënjët e pushtetit të së keqes në Kukës dhe mbarë Shqipërinë që vijnë nga qeveria më e korruptuar e historisë njerëzore; ejani dhe bashkohuni me vullnetin e njerëzve dhe vendlindjes tuaj pasi dera për ju vazhdon të jetë e hapur. Unë do ju shpreh mirënjohjen time dhe ju ftoj të jeni së bashku me ne në betëjën ndaj kandidatit të Taulant Ballës në Kukës.

Armiku jonë i vetëm është sekti i grabitqar Rilindjes, Edi Rama dhe kryetari 8% i Bashkisë Kukës -“Miti Nito” versioni 2019!

Të nderuar vëllezër e motra,

Shumë shpejt do shpalosim para jush dhe opinionit kuksian programin tim politik për Bashkinë Kukës, ku çdo problematikë do të gjejë zgjidhje falë përgjigjeve konkrete ndaj sfidave në raport me menaxhimin efiçient , transparencës, zhvillimit urban, turizmin, ekonominë, nxitjen e punësimit, infrastrukturën, përballjen me largimin masiv të të rinjve, arsimin, Kujtesën historike, ruajtjen e traditës folklorike etj, në koherencë me programin bazik të Partinë Demokratike dhe devizës filozofike: qytetari në qendër të vendimarrjes politike.

Shërbimin ndaj Kukësit dhe banorëve të tij fizikë por edhe atyre te larguar nga vendlindja e konsideroj një përgjegjësi morale, një mision human, detyrim intelektual dhe patriotik që frymon përtej interesave të ngushta personale ndaj marr përgjegjësinë para jush për fitoren bindëse të Bashkisë Kukës, si një hakmarrje ndaj asaj çfarë i ndodhi Kukësit në zgjedhjet e vitit 2019 dhe 2021 dhe me premtimin për korigjimin e çdo padrejtësie ndaj qytetarëve të Kukësit.

Të gjithë bashkë do të rikthejmë shpresën për një të ardhme më të sigurtë për Kukësin, për gjeneratat e tjera, për ëndërrën tone “Shqiperia vend i zhvilluar”.

Para jush deklaroj se Fitorja e thellë e 14 Majit është betimi im i palëkundur.

Gëzuar 32 vjetorin themelimit dhe 1 vjetorin e Rithemelimit.

Rroftë Partia Demokratike!

Zoti e bekoftë Kukësin dhe çdo bijë e bir të tij kudo qofshin ato!

Fitore!

*Fjala përshëndetëse në këtë takim.

Kukës 05.01.2023