Vajza e Kim Jong-un, si dëshmi e vazhdimit të trashëgimit të pushtetit

Prezantimi në publik i vajzës nga lideri koreano-verior Kim Jong Un në ngjarjet e fundit, ka të ngjarë të ishte një përpjekje për t'i treguar popullit të tij se një nga fëmijët e tij një ditë do të trashëgonte pushtetin e tij në atë që do të ishte breznia e tretë trashëgimore e pushtetit, u tha ligjvënësve,  shërbimi sekret i Koresë së Jugut të enjten.

Kim e shfaqi publikisht vajzën e tij në tri raste muajt e fundit: në një vend lëshimi raketash, në një fotosesion me shkencëtarët e armëve dhe në një vizitë te një objekt raketash. Media shtetërore e lajmeve e quajti atë "fëmijën më të dashur të Kim", duke ndezur debatet nëse ajo po përgatitej si trashëgimtarja e tij e dukshme, megjithëse besohet të jetë rreth 9 ose 10 vjeçe.

Në një takim të komitetit parlamentar me dyer të mbyllura, Shërbimi Informativ Kombëtar jugkorean tha se duke e çuar vajzën e tij në vende publike, Kim synon t'u tregojë koreano-veriorëve, vendosmërinë e tij për të mbajtur një raund tjetër trashëgimi të pushtetit, u tha gazetarëve Yoo Sang-bum, një nga ligjvënësit që morën pjesë në takimin e mbyllur me NIS.

Por NIS tha se dalja publike e Ju Ae - e para për cilindo nga fëmijët e Kim - nuk do të thotë domosdoshmërisht se ajo vetë do ta pasojë Kim-in, shtoi Yoo.

Mediat e Koresë së Jugut kanë raportuar se Kim ka tri fëmijë - të lindur në 2010, 2013 dhe 2017 - dhe se fëmija i parë është një djalë, ndërsa i treti është një vajzë.

Në vlerësimin e mëparshëm pas paraqitjes së parë të vajzës në nëntor, NIS u tha ligjvënësve se ajo është fëmija i dytë i Kim, e quajtur Ju Ae dhe është rreth 10 vjeçe. Agjencia u tha ligjvënësve në atë kohë se shfaqja për herë të parë e saj në vendin e lëshimit të raketave dukej se pasqyronte synimet e Kim për të mbrojtur sigurinë e gjeneratave të ardhshme të Koresë së Veriut përballë një përplasjeje me Shtetet e Bashkuara.

Ju Ae me sa duket është fëmija të cilin ylli në pension i NBA, Dennis Rodman e pa gjatë udhëtimit të tij në Phenian në vitin 2013. Pas asaj vizite, Rodman i tha gazetës britanike The Guardian se ai dhe Kim kaluan një "kohë relaksuese buzë detit" me familjen e liderit dhe se ai mbante vajzën e vogël të Kim, Ju Ae.

Kim Jong Un, i cili mbush 39 vjeç të dielën, është brezi i tretë i familjes së tij që ka sunduar me sukses Korenë e Veriut që nga themelimi i saj në vitin 1948. Ai trashëgoi pushtetin nga babai i tij Kim Jong Il pas vdekjes së tij në dhjetor 2011. Kim Jong Il mori detyrën kur babai i tij dhe themeluesi i shtetit Kim Il Sung vdiq në 1994.