Rama mbush administratën me militantë/ PD: Do të vjedhë zgjedhjet

Që prej vitit 2014, kur erdhi në pushtet, “Rilindja” socialiste ka fryrë administratën publike me militantët e saj. Të dhënat vijnë nga Instituti i Statistikave.

Revista “Monitor” përllogarit se punësimi në administratën publike është rritur në mënyrë të shpejtë gjatë dekadës së fundit, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të reduktuar numrin e ministrive dhe për të rritur produktivitetin e punës. Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se në fund të 6-mujorit të parë të vitit 2022, numri i të punësuarve në administratë arriti në 185,696 persona nga rreth 163,885 që u gjetën në vitin 2014. Të dhëna më të detajuara nga raportimet zyrtare tregojnë se administrata publike është fryrë me disa funksione të reja, por ndërkohë rritja më e madhe ka ndodhur në ndërmarrjet e ujësjellësit në pushtetit vendor.

Valët e rritjes së punësimit në shtet kanë ndodhur kryesisht në prag fushatash zgjedhore. P.sh: vitin e kaluar, në vitin 2021, kur ishin zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, punësimi në sektorin shtetëror u zgjerua me rreth 8 mijë persona ose me 4% brenda një viti. Në pranverë të vitit të ardhshëm, vendi do të zhvillojë zgjedhjet për pushtetin lokal. Duke qenë se në shumë qarqe të vendit, sidomos ato të varfra, shteti është punëdhënësi më i madh, do të stimulojë më fort punësimin. Qeveria “Rama 3” ka rreth 15 ministri nga 12 që ishin në qeverinë “Rama 2” dhe 19 ministri që ishin në qeverinë “Rama 1”. Pesha e shtetit në ekonomi është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Sipas të dhënave të INSTAT, pesha e administratës publike në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe aktivitete të punës sociale, në totalin e PBB-së shënuan rritje me 2.5 pikë përqindje nga viti 2005 në vitin 2020. Në vitin 2009, administrata publike formonte 9,7 për qind të totalit të PBBsë së vendit, ndërsa në vitin 2020 arriti në 12.4%.

Rritja e peshës së administratës në ekonomi nisi gradualisht pas vitit 2013. Në vitin 2020, nga 10 degët kryesore të ekonomisë, administrata publike ishte e treta për peshën më të lartë në ekonomi, pas bujqësisë me 19.2 % dhe sektorit të tregtisë, akomodimit dhe transportit me mbi 15%. Në vitin 2005, administrata publike ishte sektori i katërt më i madh pas bujqësisë, tregtisë dhe ndërtimit. Shqipëria hyn në vendet ish-komuniste që trashëgoi një ekonomi, ku shteti ishte ofruesi i vetëm i punësimit deri në viti 1990. Pas këtij viti, pesha e sektorit shtetëror në ekonomi dhe punësim do të vinte në rënie nga viti në vit për shkak të adoptimit të modelit të ekonomisë së tregut, por shtetit ka nisur të rrisë fort praninë e tij në ekonomi në dekadën e fundit.

Reagimi i PD

Partia Demokratike reagoi e shqetësuar lidhur me shifrat zyrtarë të INSTAT, që flasin për 22 mijë më shumë të punësuar në administratë, duke e quajtur këtë “alarm i kuq për zgjedhjet vendore”.

Zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo, në një deklaratë të saj tha se “çdo vend i ri pune, armatosje e pushtetit të Ramës për të marrë me dhunë zgjedhjet. “Shtetrrumpalla elektorale e Edi Ramës është tashmë një realitet, që çdo ditë e më shumë punon kundër një shteti serioz të shqiptarëve. Të dhënat e fundit të INSTAT, që është instituti qeveritar i statistikave, japin një shifër alarmante të fryrjes së administratës shtetërore nga Edi Rama. Që nga viti 2014, administrata shtetërore, qendrore apo vendore, është rritur me 22 mijë vetë. Ata që mendojnë se këto janë rroga që shkojnë për familjet shqiptare, e kanë gabim.

Këto janë bonuse që u jepen patronazhistëve, kujdestarëve grabitqarë të zgjedhjeve vendore dhe kuvendore në shtet-rrangallën elektorale të Ramës. Janë para të taksave tuaja, që shkojnë në xhepin dhe kontot e tyre. Ndër këta, 22 mijë vetë gjenden militantë të Rilindjes, që e marrin rrogën edhe kur janë jashtë vendit, siç e kemi denoncuar nga kjo foltore rastin e Bashkisë së Vaut të Dejës”, tha Garo. Sipas saj, sa herë ka zgjedhje, shtohet numri i të punësuarve në administratë. “Fakti i pakundërshtueshëm se kapterët e administratës përdoren si ushtri elektorale, mund të vërtetohet fare thjeshtë nga fryrja sezonale sa herë afrojnë zgjedhjet. Në vitin 2021, administrata u fry me 8 mijë vetë, pikërisht për arsye se vendi ishte në sezonin e korrje-shirjeve elektorale.

Ky është një alarm i kuq për fatin e zgjedhjeve vendore në prag. Çdo vend pune që shtohet, në nivel qendror apo vendor, nuk është gjë tjetër veçse armatosja e pushtetit të Ramës për të marrë me dhunë zgjedhjet e radhës. Por, nuk kemi të bëjmë vetëm me krim elektoral, dhe taksapaguesit nuk duhet ta shohin këtë si ankesë të Partisë Demokratike. Fryrja e administratës do të thotë rritje e peshës së shtetit në ekonomi. Sipas të dhënave të INSTAT, pesha e administratës publike në ekonomi, arsim, shëndetësi etj., në totalin e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) shënoi rritje me 2.5 pikë. Rritja e peshës së administratës në ekonomi nisi gradualisht pas vitit 2013. Partia Demokratike do t’i përgjigjet armatosjes së administratës për manipulimin e zgjedhjeve dhe rëndimin e arkës së shtetit me rezistencë të çarmatosur dhe të pandërprerë”, u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike.