Para vizitës së Biden, Meksika arreston djalin e lordit famëkeq të drogës ‘El Chapo’

Forcat meksikane të sigurisë kapën të enjten njërin djalë të lordit të drogës të burgosur Joaquin "El Chapo" Guzman, duke shënuar një fitore të rëndësishme në luftën kundër karteleve të fuqishme, disa ditë përpara vizitës së presidentit amerikan Joe Biden.

Ovidio Guzman, me nofkën "El Raton" (Miu), u kap në qytetin veriperëndimor të Culiacan dhe u dërgua me avion në Mexico City me një aeroplan ushtarak, u tha gazetarëve Ministri i Mbrojtjes Luis Cresencio Sandoval.

Ai tha se arrestimi ishte rezultat i gjashtë muajve të punës së shërbimti sekret për gjurmimin e 32-vjeçarit, i cili dyshohet se ka ndihmuar në drejtimin e operacioneve të babait të tij që kur "El Chapo" u ekstradua në Shtetet e Bashkuara në 2017.

Shtetet e Bashkuara kishin ofruar një shpërblim deri në 5 milionë dollarë për informacionin që çon në kapjen e Ovidio Guzman, duke e akuzuar atë si një lojtar kyç në kartelin famëkeq të Sinaloa.

Të shtëna me armë zjarri dhe zjarrvënie tronditën Culiacan pas arrestimit, që vijnë ndërsa presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador përgatitet të mirëpresë Biden javën e ardhshme për një samit të liderëve të Amerikës së Veriut, për të cilin siguria pritet të jetë e lartë.