Arrestohet djali i 'El Chapos', shpërthen dhuna në Meksikë, mbyllen shkollat dhe aeroportet

Dhuna ka shpërthyer sërish në veri-perëndim të Meksikës pas raportimeve se djali i mbretit famëkeq meksikan të drogës “El Chapo” është arrestuar. Mediat lokale pretendojnë se arrestimi i Ovidio Guzmán-López ndodhi në qytetin Culiacán në shtetin Sinaloa gjatë natës.

Ai mendohet të jetë një anëtar i rangut të lartë i kartelit Sinaloa – një nga organizatat më të mëdha të trafikut të drogës në botë. Në qytet janë raportuar të shtëna me armë dhe sulme me makina.

Kryebashkiaku Juan de Dios Gamez konfirmoi në Twitter se forcat e armatosura federale kanë kryer një operacion në Culiacán që nga agimi i së enjtes dhe se kjo ka shkaktuar dhunë në qytet dhe pjesë të tjera të shtetit.

“U kërkojmë qytetarëve të Culiacán-it të mos largohen nga shtëpia për shkak të bllokadave që kanë ndodhur në pjesë të ndryshme të qytetit”.- Kryebashkiaku Juan de Dios Gamez

Raportohet se aeroporti lokal është mbyllur përkohësisht dhe organi i qeverisjes vendore që mbikëqyr arsimin njoftoi në mediat sociale se “mësimdhënia dhe aktivitetet e tjera administrative” ishin pezulluar në Culiacán.

Forcat meksikane të sigurisë kishin arrestuar më parë Guzmán-López në vitin 2019, por e liruan atë për të shmangur kërcënimin e dhunës nga mbështetësit e tij.