Lamtumira për Papa Benediktin/ Berisha: Ruaj si thesar audiencat dhe takimet me Shenjtërinë e tij

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu bashkua lutjeve të shumta me rastin e lamtumirës së fundit për Papa Benediktin XVI.

“Sot me një funeral dhe meshë madhështore të mbi 50.000 besimtarëve, të udhëhequr nga shenjtëria e tij Papa Francesku, u përcoll për në banesën e fundit në Kishën e Shën Pjetrit, Papa Benedikti i XVI.

Në këtë ceremoni morën pjesë besimtarë të shumtë nga të katërta anët e botës si dhe dinjitarë dhe qeveritarë nga vende të ndryshme.

Si një nga figurat më të shquara të Kishës Katolike me kontribute historike në reformimin e saj dhe shtyllë kryesore e mendimit teologjik dhe konservator botëror, Papa Benedikti XVI do të nderohet gjithmonë për veprën e tij të ndritur jo vetëm nga besimtarët katolikë, por edhe njerëzit e besimeve të tjera në mbarë botën.

Unë ruaj si një thesar shumë të çmuar audienca dhe takime me Shenjtërinë e tij.

Me këtë rast, duke shprehur nderimin tim më të thellë për Papën Benedikti XVI bashkoj lutjen time me të miliona njerëzve, që shpirti i tij i madh të gjej paqen e merituar. Amin!” shkruan Berisha.