A do zgjidhet ngërçi në SHBA? Sytë nga votimi në Dhomën e Përfaqësuesve

E gjithë vëmendja e medieve ndërkombëtare është fokusuar në këto momente në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA, ku pritet të votohet sërish për të zgjedhur kryetarin.

Shumica e re republikane ka kaluar dy ditë duke votuar për kandidatët e mundshëm për një nga postet më të rëndësishme në politikën amerikane.

Republikani Kevin McCarthy është kandidati kryesor, por deri më tani, gjashtë raunde votimi kanë dështuar.

McCarthy nuk ia ka dalë dot të bindë 20 republikanë për ta mbështetur me vota. Megjithatë, tani pritet një ndryshim pasi McCarthy ka bërë disa lëshime duke iu ofruar atyre poste.

Kongresi i ri i SHBA u zgjodh në nëntor, por nuk ka nisur punën për shkak se nuk është zgjedhur akoma kryetari.

Presidenti amerikan, Joe Biden do ketë përballë një shumicë republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, por demokratët e tij kontrollojnë Senatin.

Disa republikanë kanë rezerva ndaj Kevin McCarthy për shkaqe ideologjike. Por ka prej tyre që presin lëshime për të dhënë votën pro.

Republikanët që kundërshtojnë kandidaturën e zotit McCarthy thanë se debati është shenjë e një demokracie të shëndetshme.