Sfidat e 2023 për Kosovën/ Spahiu: Konflikti për kontrolll mbi veriun mund të çojë në luftë

I ftuar në SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, ishte Nexhmedin Spahiu, politolog dhe publicist, i cili foli në lidhje me sfidat e 2023 për Kosovën dhe se sa vendimtarë janë muajt e parë për marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Spahiu u shpreh se kjo garë mbi një kontroll sa më të madh mbi veriun mund të çojë edhe në luftë.

"Jemi në disa kohë që rrezikojmë te shkojmë drejt një konflikti të hapur. Por, njëkohësisht në planin franko-gjerman shkruhet se Serbia të njohë simbolet kombëtare të Kosovës që nënkupton njohjen e kombit kosovar, që është ekuivalente me njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të një shteti. Kjo është çështja se çfare përnban plani franko-gjerman.

Ky këmbi i njohjes për një autonomi më të madhe është në këtë plan por sa do të jetë kjo autonomi është një problem, është guri me të cilin kanë godituar të dyja palët. Dhe se sa do të jetë kjo autonomi nuk do varet as nga Albin Kurti as nga aftësitë retorike të Albin Kurtit apo të Vuçiç por se si do jetë situata në terren. Prandaj dhe Kurti e Vuçiç tentojnë të dy, duan të kenë sa më shumë situatën nën kontroll në mënyrë që ta kenë si argument në tavolinën e bisedimeve. Mirëpo ky konflikt dhe kjo garë se kush ka më shumë kontroll mbi veriun mund të çojë deri në luftë" tha ai.