Sulmi fizik nga vëllai/ Një pretendim pa përgjigje në zemër të historisë së princit Harry

Princ Harry ka pretenduar se vëllai i tij, William, e ka sulmuar fizikisht. Kështu thuhet në librin e tij, që thekson se sherri mes vëllezërve nisi për shkak të gruas së princit Harry, Meghan. “Më kapi nga jaka, më shqeu varësen dhe më rrëzoi në tokë,” thotë Harry. Historia e tij po bën shumë bujë. Megjithatë nga të gjitha akuzat, një pretendim mbetet pa përgjigje

Nga Jonny Dymond, BBC

Harrojeni për një moment pretendimin për një sulm fizik nga vëllai i tij. Lëreni mënjanë pretendimin për sherret dhe kritikat e William për gruan e re të princit Harry.

Të gjitha janë gjëra të mira me lëng dhe, nëse rezultojnë të vërteta, tregojnë thellësinë ku është katandisur marrëdhënia mes vëllezërve.

Nuk është për t’u habitur që pallati ka heshtur, duke refuzuar të komentojë përvojat private, që një numër i madh familjesh mund t’i kenë kaluar në një mënyrë ose në një tjetër. Familja mbretërore, shumica e njerëzve pajtohen, meriton njëfarë privatësie.

Por në qendër të kësaj historie është edhe një pretendim që ka mbetur krejtësisht pa përgjigje nga pallati- se familja e tij ka rrjedhur histori dhe ka nxitur publikimin e lajmeve negative në shtyp kundër princit Harry dhe gruas së tij.

Në një video nga intervista që do transmetohet të dielën, Harry pyetet se ku qëndron dëshira e tij për privatësi në një kohë kur ai po publikon një biografi të qartë.

“Kjo do të ishte një akuzë nga ata njerëz që nuk e kuptojnë, ose nuk duan të besojnë se familja ime ka dërguar informacione për shtypin”.

Duka tha të njëjtën gjë edhe në dokumentarin e Netflix vitin e kaluar. Kishte një marrëveshje mes tij dhe William që ata nuk do nxirrnin kurrë lajme në media kundër njëri-tjetrit.

Ai shpjegoi se marrëveshja lindi nga përvoja e prindërve të tyre të ndarë- Diana dhe Charles- duke ushqyer informacione të mbrapshta në media përmes palëve të treta.

Harry thotë se pastaj zbuloi se zyra e përbashkët e komunikimit në Pallatin Kensington, e cila supozohej se do fliste dhe do i mbronte të dy vëllezërit njësoj, po u jepte medieve histori negative për të. Të dy i ndanë më pas zyrat në janar të vitit 2020.

Nuk dihet se cilat histori kanë rrjedhë në media, por nuk është e vështirë të merret me mend. Pikërisht pas dasmës së Harry me Meghan, nisën të shfaqen lajme për sjelljen e Meghan ndaj stafit të pallatit, për kërkesat që ajo thuhet se kishte bërë për ceremoninë e vitit 2018 dhe se si ajo e kishte bërë Princeshën e Uellsit, Kate, të qante.

Mospëlqimi i thellë i Harry ndaj meidave, veçanërisht ndaj gazetave më të shitura në Britani, është i kronikuar mirë. Por ky pretendim është diçka ndryshe.

Nëse jeni anëtar i Familjes Mbretërore, marrëveshja është që të mos reagoni dhe të lini ekspertët e komunikimit të pallatit të merren me ‘flakët’. Ju nuk flisni, nuk e tregoni anën tuaj të historisë.

Por Harry pretendon se njerëzit që duhej të bënin këtë punë dhe ta mbronin atë dhe Meghan, po ushqenin në të vërtetë histori negative për ta në media.

Në sytë e tij, në asnjë mënyrë e vërteta e thënë brenda në pallat nuk mbetej aty. Ana e tij dhe e Meghan e historive nuk tregohej kurrë.

Dhe më keq, pas shpine, ai thotë se stafi i pallatit- njerëzit e paguar nga taksapaguesit për të folur për ta- në fakt po i minonin ata.

Nëse kjo do të ishte një akuzë e bërë publikisht kundër një departamenti qeveritar, një partie politike, një biznesi apo një ekipi futbolli, do të pritej një përgjigje.

Mungesa e një përgjigje apo mohimi do të merrej nga shumë njerëz si një pranim se pretendimi është i vërtetë.

Por a është e vërtetë që zyra e William dhe Kate, e financuar nga taksapaguesit, dërgoi informacione kundër princit Harry dhe gruas së tij?

Asnjë koment, thotë pallati.