Hetimet për ekzekutimin e biznesmenit në Tiranë/ Vrasja e Edmond Papës mund të jetë e porositur

Prokuroria dhe Policia e Tiranës po verifikon lidhjet kriminale të Albano Velos dhe Andrew Bodes, të akuzuar si vrasësit e biznesmenit Edmond Papa.

Shtrirja e hetimeve tek njohjet e tyre është pasojë e dyshimit të ngritur nga grupi hetimor se ata kanë qenë vetëm ekzekutorët e planit për eliminimin e biznesmenit, por jo porositësit.

Hetuesit dyshojnë se urdhri është dhënë nga persona të tjerë, të cilët kanë lidhje shoqërore ose farefisnore me dy të akuzuarit.

Por nuk përjashtohet që 30-vjeçari Albano Velo, i vënë në pranga, dhe 44-vjeçari Andrew Bode i shpallur në kërkim, të jenë paguar.

Deri në këtë fazë të hetimit prokuroria dhe policia nuk kanë mundur ende të zbardhin motivin e vrasjes së 49 -vjeçarit që zotëronte një hotel në Sarandë dhe që dyshohet se mund të ishte implikuar në aktivitete të paligjshme.

Një prej pistave të hetimit është lidhja e ngjarjes me atentatin me tritol në qershor të vitit 2022 në afërsi të rrethrrotullimit te TEG-ut, ku mbeti i vrarë Aleksander Sadikaj.

Ky dyshim i ngritur vjen edhe për shkak të njohjes që Bode dhe Velo kishin me 27-vjeçarin, Sadikaj. Megjithatë  mbetet e paqartë nëse Sadikaj ka qenë në ndonjë konflikt me biznesmenin Papa.

I arrestuari Albano Velo e ka mohuar implikimin e tij në këtë ngjarje. Ndërsa Andrew Bode, që më parë mbante emrin Ervin, dyshohet se është larguar jashtë Shqipërisë në mënyrë ilegale./Tv Klan