‘Kam vrarë 25 ushtarë talebanë’/ Rrëfehet Prince Harry:Në mesin e luftës, i shihja armiqtë si gurë shahu që duheshin eleminuar

Princi Harry ka zbuluar detaje të shumta në librin autobiografik “Spare”, ku mes ngjarjesh, ai flet edhe për shërbimin ushtarak dhe misionet në Afganistan.

Sipas The Telegraph, Harry ka zbuluar se ka vrarë 25 luftëtarë talebanë gjatë shërbimit ushtarak dhe misioneve të tij në Afganistan.

Duka i Sussex thotë se ai shkoi në 6 misione në Afganistan, që rezultuan edhe me viktima. Ai shton se nuk ndihet krenar për këto zhvillime, por as i turpëruar për shërbimin që ai ka bërë.

Në librin e tij, Harry shkruan se gjatë misioneve ai nuk i mendonte talebanët si “jetë njerëzish”, por si gurë shahu që eleminoheshin nga loja.

Kjo është hera e parë që Princi Harry, 38 vjeç, ka diskutuar për numrin e luftëtarëve talebanë që vrau gjatë shërbimit të tij ushtarak dhe ka të ngjarë të rrisë shqetësimin për sigurinë e tij personale.

Princi është konsideruar prej kohësh si një objektiv terrorist jo vetëm për shkak të statusit të tij mbretëror, por edhe për shkak të dy misioneve të tij në Afganistan, të cilat e kanë bërë atë një objektiv të grupeve terroriste islamike.

Vitin e kaluar ai ndërmori veprime ligjore lidhur me vendimin e Ministrisë së Brendshme për të mos ofruar mbrojtje të plotë policore për të dhe familjen e tij kur vizitonte vendin.

Avokati i tij tha se ai “nuk ndihet i sigurt” kur është në MB, pasi kishte humbur sigurinë e tij kur ai dhe bashkëshortja hoqën dorë nga detyrat mbretërore.

Autobiografia e tij pritet të publikohet më 10 janar, por tashmë ka dalë në shitje në Spanjë, ku The Telegraph bleu një kopje në gjuhën spanjolle nga një librari.

Prince Harry ka përshkruar në librin e tij të gjitha vrasjet që ka bërë nga helikopteri, pasi në pjesën e parme të saj ishte instaluar një kamera që filmonte të gjithë misionin.